Fondi për Sigurim Shëndetësor: Në tetor u paguan mbi 621 milionë denarë, prej tyre 467 milionë për pushim të lehonisë

Fondi për Sigurim Shëndetësor i Maqedonisë (FSSHM) muajin e kaluar ka realizuar pagesa në vlerë të përgjithshme prej 621.383.663 denarësh për kompensimet për paaftësi të përkohshme për punë dhe pushim të lehonisë, transmeton Portalb.mk.

Pjesa më e madhe e këtyre mjeteve, përkatësisht 467.074.428 denarë, janë ndarë për kompensimet e lehonisë gjatë katër muajve të fundit. Pagesat e tetorit për kompensimet e lehonisë shënojnë rritje prej mbi 25 përqind krahasuar me shtatorin, si dhe paraqesin pagesën më të lartë mujore për këtë kategori në periudhën korrik–tetor 2026. Për kompensimet e tjera në bazë të pushimit mjekësor janë ndarë 154.309.235 denarë.

Në periudhën korrik–tetor 2026, siç bëjnë të ditur nga Fondi, janë paguar mbi 2,35 miliardë denarë për pushimet mjekësore dhe ato të lehonisë, prej të cilave mbi 1,66 miliardë denarë janë ndarë për kompensimet e lehonisë.

Nga FSSH thonë se qëllimi i udhëheqësisë së Fondit është që pagesa në kohë dhe e rregullt të shndërrohet në standard të përhershëm sistemor dhe jo në përjashtim.

“Pas çdo kompensimi të paguar qëndron një e drejtë konkrete, ndërsa pas çdo të drejte qëndron një person, prind ose familje, për të cilët parashikueshmëria financiare ka rëndësi të veçantë. Mjetet e sigurimit shëndetësor u përkasin të siguruarve dhe obligimi ynë është që ato të përdoren në mënyrë të ligjshme, të përgjegjshme dhe në kohë”, thuhet në njoftimin e Fondit.

Në periudhën e ardhshme, FSSH paralajmëron hapa shtesë për përmirësimin e organizimit, rritjen e efikasitetit në shqyrtimin e kërkesave dhe ruajtjen e një dinamike të qëndrueshme të të gjitha pagesave.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button