Kryeministri Kurti thotë se pret ndryshim të qasjes nga Beogradi zyrtar ndaj Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se pret një qasje të re të Beogradit zyrtar me rastin e ndryshimit të skenës politike në Serbi pas zgjedhjeve parlamentare, transmeton Anadolu.

Kurti, në mbledhjen e 64-t të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, tha se zgjedhjet në Serbi sollën ndryshime të rëndësishme në skenën politike të vendit fqinj, ndërsa po ashtu përmendi edhe rezultatin e mirë të arritur nga përfaqësuesit politikë të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

“Këto zgjedhje sollën edhe një rikonfigurim të skenës politike në Serbi. Lista Studentore doli e para, koalicioni i Aleksandar Vuçiqit humbi shumicën parlamentare, ndërsa lista e Ivica Daçiqit mbeti jashtë Kuvendit. Një çerek shekulli pas humbjes së Millosheviqit dhe Sheshelit në fillim të shekullit XXI, edhe pasardhësit e tyre politikë, Vuçiqi dhe Daçiqi, humbën. Aktualisht, ne e dimë kush e ka humbur pushtetin në Serbi, por ende nuk e dimë kush e ka fituar atë. Shpresojmë që ky ndryshim politik të shoqërohet edhe me ndryshimin pozitiv të qasjes së Beogradit zyrtar ndaj Republikës së Kosovës dhe shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë”, tha Kurti.

Kurti theksoi se Koalicioni Shqiptar ka arritur të marrë 27.670 vota, duke siguruar dy mandate parlamentare dhe duke shënuar rezultatin më të lartë të shqiptarëve në Serbi që nga viti 2000.

“Koalicioni Shqiptar mori 27.670 vota, plot 1.233 më shumë se në vitin 2020, duke shënuar rezultatin më të lartë të shqiptarëve që nga viti 2000 dhe duke siguruar dy mandate parlamentare”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka vlerësuar edhe bashkimin e subjekteve politike shqiptare, duke thënë se rezultati i arritur është dëshmi e vendosjes së interesit të përgjithshëm mbi atë partiak.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button