Media e Katarit: Delegacioni iranian mbërrin në Doha për bisedime

Një delegacion iranian, ku përfshihet edhe një zëvendës i ministrit të Jashtëm, Abbas Araghchi, ndodhet në Katar për bisedime, pas një përparimi të raportuar në negociatat e tërthorta mes Teheranit dhe Washingtonit, raportoi të shtunën një gazetë nga Katari, transmeton Anadolu.
Duke cituar një burim iranian, gazeta Al-Araby Al-Jadeed raportoi se delegacioni ndodhet në kryeqytetin e Katarit, Doha, “për të lehtësuar angazhimin me ndërmjetësin nga Katari”.
Vizita pasoi “diskutimet intensive të zhvilluara nga një delegacion negociues i Katarit në Teheran, të cilat rezultuan me një përparim në negociatat e tërthorta mes Teheranit dhe Washingtonit”, raportoi gazeta, duke cituar burimin.
Sipas raportimit, diskutimet gjithashtu hapën rrugën që ekipi negociues iranian të shoqëronte delegacionin e Katarit gjatë kthimit të tij në Doha.
“Negociatat me palën amerikane po zhvillohen në mënyrë të tërthortë përmes ndërmjetësit, jo drejtpërdrejt”, i ka thënë burimi iranian gazetës.
Delegacioni amerikan pritet t’u bashkohet bisedimeve
Burime pranë përpjekjeve ndërmjetësuese të udhëhequra nga Katari dhe Pakistani i kanë thënë gjithashtu gazetës Al-Araby Al-Jadeed se pritet që një delegacion amerikan t’i bashkohet procesit diplomatik në Doha.
Burimet kanë thënë se delegacioni amerikan mund të zhvillojë bisedime të drejtpërdrejta me negociatorët iranianë në kryeqytetin e Katarit.
Zhvillimet e raportuara mund t’i hapin rrugën rifillimit të negociatave mes Washingtonit dhe Teheranit, pas arritjes së një marrëveshjeje për masat fillestare që trajtojnë programin bërthamor të Iranit, lundrimin nëpër Ngushticën e Hormuzit dhe stimujt financiarë për Teheranin.
Sipas gazetës, marrëveshja e mundshme do të përfshinte gjithashtu Kinën dhe Rusinë si garantuese.



