Trump vë në pikëpyetje zgjedhjet në Brazil, refuzon të njohë fituesin legjitim

Presidenti amerikan Donald Trump të enjten i cilësoi zgjedhjet e mbajtura në Brazil të dielën si “turp” dhe “siklet” për popullin brazilian, transmeton Anadolu.
“Nuk dua të komentoj për këtë tani”, u tha Trump gazetarëve kur u pyet se kë e konsideronte fitues legjitim, teksa po largohej nga baza ajrore Andrews për të marrë pjesë në një tubim të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e mesmandatit në Karolinën e Jugut.
“Por mendoj se zgjedhjet ishin një siklet i madh për popullin e Brazilit”, tha ai, duke shtuar se i kishte ndjekur zgjedhjet pa mbajtur anë.
Trump pretendoi se ka një “mospërputhje” në zgjedhje dhe iu referua ecurisë së tregjeve si dëshmi të asaj që e përshkroi si “situatë të turpshme” për Brazilin.
Deklaratat e tij erdhën pasi kandidati konservator për president, Flavio Bolsonaro, i cili humbi zgjedhjet, mbërriti në SHBA pas disfatës ndaj presidentit Luiz Inacio Lula da Silva në balotazhin e së dielës.
Bolsonaro, i cili ka pretenduar se ka pasur manipulim zgjedhor pa paraqitur prova, është zotuar ta udhëheqë opozitën nga shteti amerikan i Floridës. Ai u largua nga Brazili pavarësisht një urdhri të Gjykatës Supreme që e detyronte të dorëzonte pasaportat, në kuadër të një hetimi për pastrim të dyshuar parash dhe mashtrim financiar.
Departamenti amerikan i Shtetit konfirmoi se Bolsonaros dhe familjarëve të tij të ngushtë u ishin dhënë viza për të hyrë në vend.



