VLEN: Më shumë siguri në punë, më shumë dinjitet për punonjësit!

VLEN është e angazhuar që problemet e grumbulluara ndër vite të marrin zgjidhje konkrete dhe sistemore. Një ndër to është edhe pasiguria e mijëra qytetarëve që prej vitesh punojnë në institucionet publike me kontrata të përkohshme.
Me propozim-ligjin për transformimin e angazhimeve me kontratë në punësim të rregullt, po ndërmarrim hapa konkretë për t’i dhënë fund kësaj pasigurie dhe për t’u krijuar punonjësve perspektivë më të qëndrueshme për të ardhmen.
Çfarë parasheh propozim-ligji?
Transformimin në marrëdhënie të rregullt pune, pa afat të caktuar, për personat e angazhuar me kontrata të përkohshme, kontrata në vepër, kontrata autoriale dhe forma të tjera të përcaktuara me ligj, në institucionet që përfshihen nga kjo zgjidhje ligjore.
Institucionet do të kenë afat prej 90 ditësh nga hyrja në fuqi e ligjit për të lidhur kontratat e punësimit të rregullt ose për të nxjerrë vendimet përkatëse të punësimit.
Procesi parashihet të realizohet në dy faza: deri në 50% të personave të angazhuar do të mund të kalojnë në punësim të rregullt me nënshkrimin e kontratave ose nxjerrjen e vendimeve, ndërsa për pjesën tjetër parashihet realizimi më së voni deri më 31 dhjetor 2027.
Transformimi do të bëhet në përputhje me kushtet e përgjithshme dhe të veçanta ligjore për vendin përkatës të punës, si dhe pas sigurimit të pëlqimit financiar nga Ministria e Financave.
Pas përfundimit të procesit, angazhimet e reja me kontratë në institucionet përkatëse do të kufizohen, si rregull, në maksimum 10% të numrit të përgjithshëm të të punësuarve, me përjashtimet e përcaktuara në ligj.
Kjo është dëshmi se problemet që për vite me radhë kanë mbetur të pazgjidhura mund dhe duhet të trajtohen me përgjegjësi, planifikim dhe vullnet institucional.
Ne nuk e shohim punësimin vetëm si një marrëdhënie formale, por si një çështje që lidhet drejtpërdrejt me sigurinë ekonomike të familjeve, dinjitetin e punonjësve dhe funksionimin e institucioneve publike.
Kjo qeveri është e përkushtuar që përkushtimi i njerëzve të vlerësohet dhe që puna e tyre të shoqërohet me më shumë siguri, stabilitet dhe perspektivë.
Përgjegjësia institucionale nuk matet vetëm me premtime, por me zgjidhje konkrete që ndikojnë në jetën e qytetarëve.



