Sulmuesi u vra me armë zjarri pasi goditi me thikë policin që ruante Ambasadën e Izraelit në Serbi

Një polic serb që ruante Ambasadën e Izraelit në Beograd u plagos në një sulm me thikë, ndërsa qëlloi për vdekje sulmuesin në vetëmbrojtje, tha ministri i Brendshëm, Ivica Daçiq, raporton Anadolu.
Sulmi ndodhi pak pas mesnatës, kur një i dyshuar, që besohet të jetë i mitur, iu afrua pjesëtarit të Xhandarmërisë që ruante ambasadën dhe e sulmoi me dy thika, tha Daçiq në një deklaratë.
Daçiq tha se polici, i cili pësoi një lëndim të lehtë në fytyrë, ishte në gjendje të mirë dhe pritej të dilte nga spitali më vonë gjatë ditës së sotme.
Pas incidentit, autoritetet serbe e ngritën alarmin për kërcënim terrorist në nivelin më të lartë dhe urdhëruan shtimin e pranisë policore dhe kontrolleve të sigurisë në vende kyçe, përfshirë infrastrukturën kritike dhe hapësirat publike të frekuentuara.
Autoritetet po hetojnë rrethanat e sulmit dhe po punojnë për identifikimin e sulmuesit, i cili besohet të jetë nga qyteti Shabac në Serbinë perëndimore.
Sipas medias izraelite Ynet, ky ishte sulmi i dytë ndaj personelit të sigurisë që ruan Ambasadën e Izraelit në Beograd, pas sulmit me hark dhe shigjetë në qershor të vitit 2024, në të cilin një polic u plagos në qafë.



