Kreu i inteligjencës turke zhvillon bisedime në Iran me zyrtarë sauditë dhe pakistanezë

Kreu i Agjencisë Kombëtare të Inteligjencës së Turqisë, Ibrahim Kalin, ministri i Mbrojtjes i Arabisë Saudite, Princi Khalid bin Salman dhe shefi i Shtabit të Ushtrisë pakistaneze, Asim Munir, kanë zhvilluar bisedime me presidentin iranian Masoud Pezeshkian, ministrin e Jashtëm iranian Abbas Araghchi dhe sekretarin e Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare të Iranit, Mohsen Rezaei, transmeton Anadolu.
Sipas informacioneve të marra nga burime sigurie, Kalin u takua me Pezeshkianin, Araghchin dhe Rezaein në Teheran të hënën, së bashku me zyrtarë sauditë dhe pakistanezë.
Takimi u fokusua në tejkalimin e problemeve të sigurisë në Palestinë, Liban, Ngushticën e Hormuzit dhe Jemen, duke theksuar rëndësinë e pronësisë rajonale, qëndrueshmërinë kolektive, parandalimin e përbashkët dhe ndërtimin e besimit.
Gjatë takimit u diskutua edhe për negociatat mes SHBA-së dhe Iranit.
Në takim u theksua rëndësia e forcimit të bashkëpunimit rajonal, solidaritetit dhe sigurisë kolektive në kuadër të Aleancës së Mbrojtjes së Mekës, e formuar në gusht midis Turqisë, Arabisë Saudite dhe Pakistanit.
Vizita e Kalinit, gjatë së cilës ai vazhdoi kontaktet e nivelit të lartë në Iran, u zhvillua në një kohë të përshkallëzimit të tensioneve për shkak të luftës SHBA-Izrael me Iranin dhe në mes të rolit aktiv ndërmjetësues të Turqisë në krizat rajonale.



