Filipçe: Pas Vuçiqit dhe Orbanit, radha i vjen Mickoskit – po shembet “oktapodi kriminal ballkanik”!

Në një konferencë për media, Filipçe tha se zhvillimet në Hungari dhe Serbi paralajmërojnë fundin e lidhjeve politike, biznesore dhe mediatike, të cilat, sipas tij, mbajnë në këmbë regjimet e korruptuara në rajon.
Ai akuzoi pushtetin e Mickoskit se ndjek modelin e Partisë Përparimtare Serbe, ndërsa Vuçiqin e cilësoi si mentor politik të kryeministrit maqedonas. Sipas tij, këto lidhje ushqejnë kapjen e shtetit, errësirën mediatike dhe korrupsionin.
Filipçe ngriti gjithashtu pretendime për interesa biznesore në sektorin e energjetikës, tregtinë me energji elektrike dhe sektorin financiar. Ai përmendi kompaninë “Rudnap”, ministren Sanja Bozhinovska, Dushan Adamoviqin dhe hyrjen e “Alta Bankës” në tregun maqedonas.
Kreu i LSDM-së bëri edhe akuza për lidhje të personave nga pushteti serb me trafikun e drogës dhe për marrëdhëniet e tyre me kompani në Maqedoninë e Veriut, që sipas tij, janë të afërta me kryeministrin Mickoski.
Ai kritikoi edhe mediat “Alo” dhe “Euronews”, duke pretenduar se veprojnë në Maqedoninë e Veriut pa regjistrimin e duhur dhe përdoren për propagandë e diskreditimin e kundërshtarëve politikë.
Filipçe tha se edhe vetë ka qenë cak i publikimeve që i cilësoi si të pavërteta dhe diskredituese, duke paralajmëruar se përgjegjësit do të japin llogari një ditë.
Sipas tij, ndryshimet politike në rajon tregojnë se po i vjen fundi modelit të ndërtuar mbi lidhjet politike dhe biznesore.



