Aleanca e re që synon të shuajë konfliktet e nisura nga boshti SHBA-Izrael në Lindjen e Mesme

Ministrat e Jashtëm të tetë vendeve u mblodhën të premten në Stamboll, me thirrjen për t’i dhënë përparësi diplomacisë përballë përshkallëzimit të konflikteve në Lindjen e Mesme.
Ata paralajmëruan se përplasjet ushtarake dhe kërcënimet ndaj korridoreve strategjike detare, rrezikojnë të thellojnë krizën humanitare dhe të shkaktojnë pasoja të rënda për tregtinë botërore.
Takimi u zhvillua në kuadër të formatit të zgjeruar R4+E3, ku përfshihen Turqia, Egjipti, Pakistani dhe Arabia Saudite, së bashku me Francën, Gjermaninë, Italinë dhe Mbretërinë e Bashkuar.
Bisedimet u drejtuan nga ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, ndërsa në përfundim pjesëmarrësit u takuan edhe me presidentin turk, Recep Tayyip Erdoğan.
Ky ishte takimi i parë i formatit të zgjeruar, pas gjashtë mbledhjeve të mëparshme të grupit R4, të krijuar në vitin 2026 për të forcuar rolin e fuqive rajonale në trajtimin e sfidave të sigurisë në Lindjen e Mesme.
Në deklaratën e përbashkët, tetë vendet shprehën mbështetjen për përpjekjet diplomatike që synojnë paqen dhe stabilitetin, duke theksuar se konfliktet aktuale nuk mund të trajtohen të shkëputura nga pasojat e tyre ekonomike, humanitare dhe tregtare.
Një nga çështjet kryesore të diskutimit ishte konflikti që përfshin Uashingtonin, Izraelin dhe Teheranin. Hakan Fidan deklaroi se ndërhyrja ushtarake në Iran nuk do ta zgjidhte krizën, duke shtuar se asnjë prej vendeve pjesëmarrëse nuk e mbështeste aktualisht një veprim të tillë.
Ministrat kërkuan dialog për të parandaluar zgjerimin e konfliktit, duke nënvizuar nevojën për mbrojtjen e civilëve, infrastrukturës civile dhe anijeve tregtare.
Ata shprehën gjithashtu mbështetjen për përpjekjet që synojnë arritjen e një marrëveshjeje të qëndrueshme përmes negociatave.
Në deklaratën e veçantë të grupit R4 u mirëprit memorandumi i mirëkuptimit i Islamabadit dhe nismat diplomatike që synojnë frenimin e tensioneve.
Një shqetësim tjetër madhor ishte liria e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit, një korridor jetik për transportin ndërkombëtar të energjisë.
Çdo ndërprerje e trafikut detar, mund të godasë zinxhirët globalë të furnizimit, duke vështirësuar transportin e energjisë, ushqimeve dhe plehrave kimike bujqësore.
Pasojat, paralajmëruan ministrat, do të ishin veçanërisht të rënda për vendet dhe popullsitë më të cenueshme. Ata kundërshtuan kufizimet ndaj lundrimit të ligjshëm dhe kërkuan rikthimin sa më të shpejtë të kalimit të sigurt e të pandërprerë në Hormuz.
Në diskutime u përfshi edhe Ngushtica e Bab El-Mandebit, e cila lidh Detin e Kuq me Gjirin e Adenit dhe përbën një tjetër nyje kyçe të tregtisë ndërkombëtare.
Ministrat e vendeve R4 dënuan përshkallëzimin e veprimeve të Huthëve në Jemen, duke përmendur sulmet ndaj Arabisë Saudite, infrastrukturës civile dhe anijeve tregtare në Detin e Kuq dhe në Ngushticën e Bab el-Mandebit.
Ata shprehën solidaritet me qeverinë e njohur ndërkombëtarisht të Jemenit dhe me Arabinë Saudite, duke u kërkuar Huthëve të ndërpresin menjëherë operacionet ushtarake, kërcënimet dhe sulmet.
Gjithashtu, grupit iu bë thirrje të rikthehet me seriozitet në procesin politik. Sipas ministrave, vazhdimi i armiqësive përkeqëson një krizë humanitare tashmë të rëndë dhe shton rreziqet për sigurinë e lundrimit e tregtinë ndërkombëtare.
Në deklaratën e grupit R4, pushtimi izraelit i territoreve palestineze u cilësua si një prej burimeve themelore të paqëndrueshmërisë në rajon dhe më gjerë. Ministrat kërkuan zbatimin e zgjidhjes me dy shtete, në përputhje me rezolutat përkatëse të Kombeve të Bashkuara.
Ata rikonfirmuan të drejtën e palestinezëve për vetëvendosje dhe për krijimin e një shteti të pavarur, sovran, të qëndrueshëm dhe territorialisht të pandërprerë, mbi bazën e kufijve të 4 qershorit 1967, me Jerusalemin Lindor si kryeqytet.
Deklarata kërkoi gjithashtu ndalimin e dhunës izraelite, zgjerimit të vendbanimeve në Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor, sulmeve të kolonëve dhe përpjekjeve për të ndryshuar statusin historik e juridik të Jerusalemit.
Ministrat kërkuan t’i jepet fund shkatërrimit dhe vuajtjeve humanitare në territoret palestineze, duke theksuar domosdoshmërinë e dërgimit të pandërprerë të ndihmave dhe rindërtimit të Gazës.
Takimi në Stamboll, pasqyroi përpjekjen e Turqisë për të krijuar një mekanizëm më të gjerë bashkërendimi mes fuqive të Lindjes së Mesme dhe vendeve kryesore evropiane.
Pjesëmarrësit ranë dakord të vazhdojnë konsultimet në këtë format, me synimin që diplomacia e përbashkët të luajë rol më të madh në frenimin e konflikteve dhe garantimin e sigurisë rajonale. \tesheshi.com\



