Trump konteston rezultatet e zgjedhjeve që ende nuk janë mbajtur

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se personalisht e ka urdhëruar Departamentin e Drejtësisë që të paraqesë një padi për bllokimin e certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve për Senatin në Alaskë, në rast se senatori republikan Dan Sullivan pëson humbje.
“Unë jam ai që thashë: Bëjeni”, u tha Trump gazetarëve të premten, me të mbërritur në Florida.
Departamenti amerikan i Drejtësisë e paraqiti padinë të enjten në një gjykatë federale në Alaskë, rreth dhjetë ditë para zgjedhjeve të 3 nëntorit.
Në të kërkohet ndërhyrje në procesin e certifikimit të rezultateve, duke pretenduar se prania e një kandidati me emër pothuajse identik me atë të senatorit aktual mund të ndikojë në rezultat.
Bëhet fjalë për Daniel J. Sullivanin, i cili figuron në fletëvotim përballë senatorit republikan Dan Sullivan. Sipas padisë, nëse senatori republikan humb, rezultatet duhet të bllokohen, me arsyetimin se ai do të fitonte nëse votat e marra nga kandidati me emër të ngjashëm do t’i atribuoheshin atij në sistemin e votimit me renditje.
Republikanët pretendojnë se kandidatura e Daniel J. Sullivanit mund të ngatërrojë votuesit. Megjithatë, Gjykata Supreme e Alaskës e kishte refuzuar më herët kërkesën për ta larguar atë nga fletëvotimi.
Padia ka nxitur kritika edhe brenda radhëve republikane. Senatorja e Alaskës, Lisa Murkowski, deklaroi në platformën X se Departamenti i Drejtësisë nuk është dashur ta paraqesë këtë padi.
Ajo theksoi se qytetarët e Alaskës janë në gjendje të vendosin vetë se për kë dëshirojnë të votojnë, duke shtuar se kandidatët në fletëvotimin e këtij viti janë dalluar qartë.
Në anën tjetër, demokratët e kanë akuzuar Trumpin se po përpiqet të ndikojë në rezultatin e zgjedhjeve përmes institucioneve federale.
“Donald Trump e di se Dan Sullivan do t’i humbë zgjedhjet, prandaj tani Departamenti i tij i Drejtësisë po paraqet një padi të rreme për të përmbysur vullnetin e votuesve të Alaskës dhe për t’i vjedhur zgjedhjet në rast të humbjes së tij”, deklaroi Devan Barber, drejtor ekzekutiv i Komitetit Demokratik për Fushatën e Senatit.
Departamenti i Drejtësisë, ndërkaq, thotë se synon të mbrojë integritetin e procesit zgjedhor dhe të sigurojë që kandidatura e kontestuar të mos ndikojë në vullnetin e votuesve.
Ekspertët ligjorë e kanë cilësuar padinë si një veprim pa precedentë, duke vlerësuar se gjasat që ajo të ketë sukses në gjykatë janë të vogla. /Telegrafi/



