Selami: Ndryshimet ligjore, hap i rëndësishëm për forcimin e pavarësisë së Avokatit të Popullit

Avokati i Popullit në Maqedoninë e Veriut, Faton Selami, ka kërkuar ndryshime dhe plotësime të Ligjit për Avokatin e Popullit, me qëllim forcimin e pavarësisë dhe efikasitetit të institucionit në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të qytetarëve.
Gjatë debatit publik të mbajtur në Kuvend, Selami theksoi se një institucion i pavarur dhe funksional është tregues i pjekurisë demokratike të një shoqërie, pasi kontribuon në rritjen e përgjegjësisë institucionale, përmirësimin e transparencës dhe forcimin e besimit të qytetarëve te sistemi.
“Institucioni i Avokatit të Popullit përfaqëson një mekanizëm përmes të cilit forcohet përgjegjësia e institucioneve, përmirësohet transparenca dhe ndërtohet besimi i qytetarëve te sistemi”, deklaroi Selami.
Ai bëri të ditur se ndryshimet e propozuara ligjore synojnë krijimin e kushteve për avancimin e institucionit dhe përmbushjen e standardeve të nevojshme për marrjen e statusit A të akreditimit ndërkombëtar.
“Miratimi i ndryshimeve të nevojshme ligjore do të krijonte kushtet që në të ardhmen e afërt të kërkojmë akreditimin për marrjen e statusit A, ndërsa Republika e Maqedonisë së Veriut të pajiset me një institucion kombëtar për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut”, u shpreh Selami.
Debati publik u mbajt në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve institucionalë dhe ndërkombëtarë, përfshirë kryetarin e Kuvendit, Afrim Gashi, përfaqësues të Misionit të OSBE-së, Bashkimit Evropian dhe Kombeve të Bashkuara, si dhe përfaqësues të sektorit joqeveritar.
Gjatë diskutimit u theksua rëndësia e garantimit të pavarësisë së Avokatit të Popullit, sigurimit të kompetencave dhe burimeve të nevojshme për punën e tij, si dhe përmirësimit të qasjes së qytetarëve në mekanizmat për mbrojtjen e të drejtave të tyre.



