Udhëheqësit e kishave në Kuds: Mungesa e llogaridhënies nxit sulmet e kolonëve izraelitë në Bregun Perëndimor

Udhëheqësit e kishave në Kuds thanë se pandëshkueshmëria po i nxit kolonët izraelitë të kryejnë sulme në Bregun Perëndimor të pushtuar, duke dënuar një sulm të fundit ndaj bujqve palestinezë dhe diplomatëve evropianë, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë, patriarkët dhe krerët e kishave në Kuds dënuan sulmin e së shtunës nga kolonët izraelitë të maskuar ndaj palestinezëve që po vilnin ullinj në Taybeh, një fshat kryesisht i krishterë në verilindje të Ramallahut. Sulmi kishte në shënjestër edhe vizitorë të huaj, përfshirë diplomatë dhe zyrtarë evropianë, të cilët kishin shkuar për të shprehur solidaritet me komunitetet palestineze që përballen me sulme të përsëritura.
Udhëheqësit e kishave theksuan se sulmi nuk ishte incident i izoluar, duke paralajmëruar për dhunë të përhapur ndaj fshatrave palestineze gjatë javëve të fundit, veçanërisht gjatë sezonit të vjeljes së ullinjve. Ata dënuan gjithashtu një vendim të fundit fetar të rabinit izraelit Dov Lior, i cili u lejon hebrenjve të marrin ullinj nga bujqit palestinezë, duke e cilësuar atë si të rrezikshëm dhe të papranueshëm.
Udhëheqësit mirëpritën kundërshtimin ndaj këtij vendimi nga rabinë të tjerë dhe zëra të komunitetit hebre. Lior e nxori vendimin javën e kaluar, duke pretenduar se marrja e ullinjve të palestinezëve është e lejueshme dhe madje veprim i virtytshëm, sipas televizionit izraelit Kanali 13.
“Fatkeqësisht, faktet në terren tregojnë se këto sulme vazhdojnë për shkak të pandëshkueshmërisë që gëzojnë autorët e tyre”, thuhet në deklaratë.
Ata u bënë thirrje autoriteteve izraelite që përgjegjësit të dalin para drejtësisë dhe i kërkuan komunitetit ndërkombëtar të intensifikojë përpjekjet për mbrojtjen e palestinezëve në Taybeh dhe në mbarë Bregun Perëndimor të pushtuar, si dhe të vizitorëve të huaj që shprehin solidaritet me ta.
Komisioni Palestinez për Rezistencën ndaj Murit dhe Vendbanimeve Kolone ka dokumentuar më shumë se 14.742 sulme nga kolonët izraelitë në mbarë Bregun Perëndimor gjatë tri viteve të fundit.



