SHBA goditje të fortë UNMIK-ut: Mbylleni, koha e tij ka përfunduar dhe nuk ka më vend në Kosovë

Zëvendëspërfaqësuesja e SHBA-së në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Tammy Bruce, ka kërkuar përfundimin e misionit të UNMIK-ut në Kosovë, duke argumentuar se mandati i tij nuk përputhet më me realitetin e sotëm në vend.

Gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurimit, ku po shqyrtohet raporti i fundit gjashtëmujor për Kosovën, Bruce tha se marrëdhëniet mes Prishtinës dhe Beogradit duhet të përparojnë përmes angazhimit të drejtpërdrejtë të të dyja palëve, e jo përmes diskutimeve në Këshillin e Sigurimit.

Ajo u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë të shmangin veprimet që mund të rrisin tensionet, të ndërmarrin hapa konkretë për ndërtimin e besimit dhe të vazhdojnë dialogun.

Bruce tha se presidenti amerikan, Donald Trump, dëshiron paqe dhe stabilitet në rajon, duke përmendur edhe qëndrimin e tij ndaj të dyja vendeve.

“Paqja midis Kosovës dhe Serbisë është jo vetëm esenciale. Presidenti Trump admiron të dyja vendet dhe dëshiron paqe, stabilitet dhe prosperitet”, deklaroi ajo.

Përfaqësuesja amerikane e bëri të qartë se përgjegjësia për përparimin e marrëdhënieve dypalëshe u takon vetë Kosovës dhe Serbisë.

“Progresi afatgjatë do të vijë nga Prishtina dhe Beogradi, e jo nga Këshilli i Sigurimit”, tha Bruce.

Pjesën kryesore të kritikave të saj, Bruce e drejtoi ndaj vazhdimit të mandatit të Misionit të Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK).

Sipas saj, situata në Kosovë ka ndryshuar ndjeshëm që nga viti 1999 dhe prania e misionit nuk justifikohet më në formën aktuale. Ajo përmendi KFOR-in, Bashkimin Evropian, OSBE-në dhe agjencitë e tjera të OKB-së si mekanizma që mund të mbulojnë nevojat përkatëse në vend.

“Ne vëzhgojmë me një mision të tejkaluar. Nuk mund të pretendojmë se misioni ka ndonjë rol të konsiderueshëm në qeverisjen e Kosovës”, tha ajo.

Bruce e përshkroi UNMIK-un si një mision me numër të konsiderueshëm të stafit, por pa trupa paqeruajtëse, dhe argumentoi se vazhdimi i tij, ndonëse puna për të cilën ishte krijuar ka përfunduar, nuk sjell përfitime dhe mund të ketë pasoja për grupet më të cenueshme.

Ajo kritikoi edhe pamundësinë e Këshillit të Sigurimit për ta rishikuar mandatin e misionit, duke thënë se kjo tregon vështirësitë e këtij institucioni për të marrë vendime kur ato janë të nevojshme.

“Paaftësia jonë për të rishikuar mandatin e përhershëm të UNMIK-ut është një shenjë paralajmëruese serioze e mosfunksionimit të sistemit të OKB-së, është paaftësia jonë për të vepruar kur momenti e kërkon veprimin”, deklaroi Bruce.

Në fund, ajo kërkoi që Këshilli i Sigurimit të vendosë nëse do ta vazhdojë një mision që, sipas saj, e ka përfunduar funksionin, apo do t’i përdorë burimet e OKB-së në mënyrë më të përshtatshme.

“Koha e këtij misioni ka përfunduar”, përfundoi përfaqësuesja amerikane. (Insajderi)

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button