Rusia sheh mundësi për furnizimin e tregjeve globale me naftë

Rusia sheh perspektiva pozitive për një marrëveshje të mundshme me SHBA-në për furnizimet e tregjeve globale me naftë, tha sot zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov, transmeton Anadolu.
“Mendoj se ka perspektiva të mira këtu dhe ne do të punojmë për t’i realizuar ato. Deri më tani, gjithçka duket pozitive”, tha ai në një konferencë për media në Moskë. Ryabkov tha se Rusia është e përgatitur të furnizojë tregjet globale me naftë përgjatë viteve 2026-2027 dhe përtej tyre ndërsa zyrtarët rusë po punojnë për ta përafruar atë kornizë kohore me kufijtë e përcaktuar në dokumentet ekzekutive të SHBA-së.
Më 9 tetor, presidenti rus Vladimir Putin dhe presidenti amerikan Donald Trump zhvilluan bisedë telefonike gjatë së cilës diskutuan, ndër të tjera, furnizimet me produkte të naftës. Putini tha se Moska ka konfirmuar gatishmërinë e saj për të furnizuar naftë dhe produkte të naftës në tregjet e SHBA dhe ato globale.
Ryabkov tha se qasja e Rusisë ndaj një zgjidhjeje të mundshme në Ukrainë nuk do të ndryshojë pas asaj që ai e përshkroi si vendimin e Trumpit për të shtyrë sanksionet shtesë kundër Rusisë. “Pozicioni ynë themelor dhe qasja jonë ndaj një kuadri të mundshëm zgjidhjeje nuk ndryshojnë si rezultat i këtyre vendimeve”, tha ai duke shtuar se Washingtoni dhe kryeqytetet evropiane janë të njohur me pozicionin e Moskës.
Sipas tij, prioriteti i Rusisë është të gjejë formulë për zgjidhje të qëndrueshme që trajton ato që ajo i konsideron shkaqet rrënjësore të krizës dhe zgjidh çështjet që çuan në situatën aktuale. Diplomati shtoi se Moska nuk pa gatishmëri tek Kievi apo në mesin e sponsorëve kryesorë të Ukrainës për të adresuar këto çështje. Në të njëjtën kohë, Rusia mirëpret përpjekjet e administratës amerikane për të lehtësuar një zgjidhje, tha ai.
Zyrtari konfirmoi se Rusia dhe SHBA-ja vazhdojnë të komunikojnë për lirimin e të burgosurve përmes kanaleve të inteligjencës, me agjencitë përkatëse që mbeten në kontakt.
Megjithatë, nuk ka asnjë dialog dypalësh për kontrollin e armëve apo stabilitetin strategjik për momentin, tha ai për kontaktet e kufizuara në takime të rastësishme midis zyrtarëve të lartë në margjinat e ngjarjeve shumëpalëshe, duke përfshirë Konferencën për Çarmatimin dhe seancat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Ryabkov theskon se kontakte të mëtejshme mund të ndodhin brenda grupit P5 të pesë shteteve me armë bërthamore, të koordinuara aktualisht nga Franca, por se ai nuk sheh asnjë perspektivë të menjëhershme për rifillimin e një dialogu dypalësh të stabilitetit strategjik me Washingtonin.



