Afrim Gashi: Kuvendi miraton ndryshimet në Ligjin për nëpunësit administrativë dhe disa vendime të tjera

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, ka njoftuar se në seancën e sotme plenare janë miratuar disa pika të rëndësishme që lidhen me funksionimin e institucioneve dhe angazhimin ndërkombëtar të vendit.
Ndër vendimet e miratuara janë ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për nëpunësit administrativë, të cilat synojnë harmonizimin e kornizës ligjore për statusin e nëpunësve administrativë të Kuvendit, duke mundësuar rregullim më të qartë të statusit të tyre dhe kushte për kryerjen e papenguar të detyrave institucionale.
Gjatë seancave të sotme, deputetët miratuan edhe Propozim-ligjin për revizion shtetëror në lexim të tretë, si dhe vendimin për dërgimin e pjesëtarëve të Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut në operacionin ndërkombëtar të Bashkimit Evropian „ALTEA“, në Bosnjë dhe Hercegovinë, për periudhën nëntor 2026 – maj 2027.
Në mesin e pikave të miratuara janë edhe propozimi për zgjedhjen e një anëtari të jashtëm të Komisionit të Letrave me Vlerë dhe ndryshimet në Ligjin për nëpunësit administrativë, me procedurë të shkurtuar.

