MPJ e Maqedonisë së Veriut thërret përfaqësuesin e ambasadës bullgare për rastin e Iva Mihajllovës

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme e Maqedonisë së Veriut thirri përfaqësuesin e Ambasadës së Republikës së Bullgarisë, i cili në mungesë të ambasadorit ushtron funksionin e të ngarkuarit me punë, pas deklaratave lidhur me rastin e Iva Mihajllovës, transmeton Anadolu.

Sipas njoftimit të ministrisë, në takim u shpreh pakënaqësi për deklaratën e fundit të ministrit të Brendshëm të Republikës së Bullgarisë, Ivan Demerdzhiev, lidhur me rastin e Iva Mihajllovës, e cila u cilësua si “fyese dhe provokuese”.

“Gjithashtu, u shpreh pakënaqësi edhe për deklaratën e ambasadorit Zhelyazko Radukov për televizionin bullgar BTV, të cilën e vlerësojmë si ndërhyrje të drejtpërdrejtë në punët e brendshme të shtetit tonë, duke pasur parasysh cilësimet e bëra në lidhje me punën e institucioneve kompetente”, thuhet në njoftim.

“Nga ana jonë u theksua posaçërisht se provokime të tilla e largojnë dialogun dypalësh nga korniza në të cilën duhet të zhvillohen marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, mbi bazën e respektit të ndërsjellë, vetëpërmbajtjes dhe komunikimit konstruktiv”, thuhet në njoftim.

Në njoftim thuhet se gjatë takimit u theksua se kjo sjellje mund të krijojë nevojën për një reagim të përshtatshëm institucional, në përputhje me dispozitat e Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike, e cila përcakton qartë kufijtë e veprimtarisë diplomatike dhe parimin e mosndërhyrjes në punët e brendshme të shtetit pritës.

“Në fund të takimit u riafirmua edhe një herë përkushtimi ynë për zhvillimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, të bazuara në respektin e ndërsjellë, besimin dhe parimet evropiane, ndërsa të njëjtin përkushtim dhe përgjegjësi e presim edhe nga pala bullgare”, thuhet në njoftim.

– Deklaratat që shkaktuan reagime
Në një deklaratë lidhur me rastin, Demerdzhiev tha se Mihajllova nuk do të ekstradohet, ndonëse Maqedonia e Veriut kishte shpallur një fletarrestim ndërkombëtar për të.

“Iva Mihajllova nuk kërkohet nga ne. Drejtoria jonë për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Operativ ka marrë kërkesa për ekstradimin e saj, por përgjigjja është negative. As do ta kërkojmë, as do ta dorëzojmë te autoritetet serbe”, tha ai.

I pyetur nëse e kishte përmendur gabimisht shprehjen “autoritetet serbe”, Demerdzhiev u përgjigj se kishte gabuar, por se nuk bëhej fjalë për “një gabim aq të madh”.

Ambasadori bullgar në Shkup, Zhelyazko Radukov, në një intervistë për televizionin bullgar BTV deklaroi se do të habitej jashtëzakonisht nëse largimi i Mihajllovës nga Maqedonia nuk ishte koordinuar me autoritetet maqedonase.

Pas refuzimit të ekstradimit të saj, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski njoftoi se autoritetet do të reagojnë zyrtarisht dhe do të informojnë BE-në dhe NATO-n për sjelljen e autoriteteve bullgare.

– Rasti i Iva Mihajllovës
Mihajllova (23), nga Koçani, akuzohet për vepra të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në trafik, pas aksidentit që ndodhi më 7 tetor 2025 në rrugën Koçan-Shtip, ku humbi jetën 33-vjeçari Besim Durmishi, ndërsa disa persona, mes tyre edhe Mihajllova, u plagosën.

Mihajllova, e cila ka shtetësi maqedonase dhe bullgare, gjatë procesit gjyqësor kishte ndalim për largimin nga shteti, detyrimin për t’u paraqitur rregullisht në gjykatë ndërsa dokumentet e udhëtimit i ishin konfiskuar. Mbrojtja e saj kishte kërkuar që t’i mundësohej trajtimi mjekësor në Bullgari për shkak të dëmtimeve në shtyllën kurrizore.

Më 11 tetor, Mihajllova mbërriti në Bullgari, ku u shtrua për trajtim në spitalin “Pirogov” në Sofje. Largimi i saj, pavarësisht masave gjyqësore, shkaktoi reagime në Maqedoninë e Veriut dhe tensione diplomatike mes Shkupit dhe Sofjes.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button