Fidan vlerëson “vizionin e fortë” të kryeministrit irakian për avancimin e marrëdhënieve dypalëshe me Ankaranë

Ministri turk i Punëve të Jashtme, Hakan Fidan, ka vlerësuar “vizionin e fortë” të kryeministrit irakian, Ali al-Zaidi, për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe me Ankaranë, pas bisedimeve të zhvilluara dje në Bagdad, raporton Anadolu.
“Zoti al-Zaidi ka një vizion shumë të fortë për avancimin e marrëdhënieve me Turqinë. Po e shohim gjithashtu ndikimin pozitiv dhe konstruktiv të këtij vizioni në politikat e Irakut”, u tha Fidan gazetarëve.
Kryediplomati turk takoi kryeministrin irakuan në margjinat e Sesionit të 52-të të Këshillit të Ministrave të Jashtëm të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik (OIC).
Fidan tha se al-Zaidi ka treguar përkushtim të fortë për përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe ndërmarrjen e hapave konkret për adresimin e sfidave të Irakut.
Ai tha se diskutimet me zyrtarët irakianë përfshinë energjinë, ndërlidhjen, Projektin e Rrugës së Zhvillimit, bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, luftën kundër terrorizmit dhe situatën në Sinxhar.
Fidan rikonfirmoi mbështetjen e Turqisë për politikat konstruktive të qeverisë irakiane dhe tha se të dyja palët ndajnë të njëjtin vizion për t’i çuar marrëdhëniet dypalëshe në një nivel të paprecedentë.
Ai shtoi se Ankaraja do të kontribuojë në tejkalimin e vështirësive që burojnë nga historia e afërt dhe që kanë ndikuar veçanërisht në shoqërinë irakiane.
“Shpresojmë që edhe problemet e tjera në rajon të zgjidhen përmes dialogut dhe mjeteve paqësore në të ardhmen e afërt, duke krijuar një mjedis më të favorshëm për Irakun dhe duke ndihmuar rajonin të evoluojë drejt një atmosfere më paqësore”, tha ai.
Takimi i OIC-it trajton Palestinën dhe sfidat rajonale
Fidan njoftoi se para takimit ministror të OIC-it ishte takuar edhe me ministrin e Punëve të Jashtme të Egjiptit, Badr Abdelatty.
Ai tha se Turqia ia kishte dorëzuar Irakut kryesimin me rotacion të Këshillit të Ministrave të Jashtëm të OIC-it, pasi e kishte mbajtur këtë detyrë për 18 muaj.
“Në Këshillin e Ministrave të Jashtëm të OIC-it, çështjet me rëndësi të madhe për botën islame, veçanërisht çështja palestineze, u shqyrtuan dhe u diskutuan në thellësi”, tha Fidan.
Ai shtoi se diskutimet u përqendruan në sfidat e përbashkëta me të cilat përballet bota islame.
Fidan u takua gjithashtu me presidentin irakian, Nizar Amedi, të cilit ia përcolli përshëndetjet e presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan dhe e përgëzoi për marrjen e detyrës.
“Ky ishte takimi ynë i parë ballë për ballë që nga marrja e detyrës së tij të re. Ai ishte një burrë shteti që e njihnim tashmë”, tha Fidan.
Bashkëpunimi në fushën e sigurisë dhe zhvillimet rajonale
Më tej, Fidan njoftoi se me homologun e tij irakian, Fuad Hussein, diskutoi situatën politike në Irak dhe zhvillimet rajonale.
Ai u takua gjithashtu me kryetarin e Komisionit të Forcave të Mobilizimit Popullor, Falih al-Fayyad, me të cilin tha se kishte mbajtur lidhje që nga vitet kur punonte në Organizatën Kombëtare të Inteligjencës së Turqisë.
Diskutimet e tyre, tha ai, përfshinë Forcat e Mobilizimit Popullor, zhvillimet rajonale, hapat e ndërmarrë drejt çarmatimit të grupeve të caktuara të armatosura në Irak dhe bashkëpunimin dypalësh në fushën e sigurisë.
Ai gjithashtu i përcolli përshëndetjet e presidentit Erdogan kryeparlamentarit irakian, Haibat al-Halbusi, me të cilin diskutoi çështje parlamentare.
Fidan tha se bisedimet me këshilltarin irakian për sigurinë kombëtare, Qasim al-Abboudi, u përqendruan në bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe ndikimin e tij në rajon.
Theksohet roli i komunitetit turkmen të Irakut
Fidan u takua gjithashtu me ministrin shtetëror të Irakut dhe kryetarin e Frontit Turkmen të Irakut, Mehmet Seman Agaoglu, të cilin e përgëzoi për emërimin e tij. Ai tha se Turqia i ka ndjekur prej kohësh sfidat me të cilat përballet komuniteti turkmen i Irakut.
Ai tha se adresimi i këtyre sfidave kërkon përparim në zgjidhjen e problemeve më të gjera politike dhe shoqërore të Irakut.
“Ata janë qytetarë besnikë të Irakut. Ata janë gjithashtu shumë të vetëdijshëm për ruajtjen e identitetit të tyre dhe pikërisht këtë dëshirojmë”, tha Fidan.
Ai theksoi se komuniteti turkmen ka luajtur vazhdimisht një rol konstruktiv në shoqërinë dhe politikën irakiane.
“Turqia dhe Iraku janë vende vëllazërore, që janë vazhdimësi e njëra-tjetrës nga pikëpamja gjeografike, kulturore dhe historike”, tha Fidan.
Ai bëri thirrje për krijimin e një kornize më të institucionalizuar për bashkëpunimin dypalësh, i cili do t’u shërbente interesave të të dy vendeve.



