Shkon në 11 numri i viktimave nga ethet e Nilit Perëndimor në Maqedoninë e Veriut

Një paciente 66-vjeçare ka ndërruar jetë në Klinikën Infektive në Shkup nga ethet e Nilit Perëndimor, duke e çuar numrin e përgjithshëm të viktimave në Maqedoninë e Veriut nga virusi në 11, transmeton Anadolu.
Drejtori i klinikës, Fadil Cana, njoftoi se pacientja ka ndërruar jetë nga një formë e rëndë e sëmundjes, me prekje të sistemit nervor qendror.
Ai tha se pacientja kishte disa sëmundje kronike shoqëruese dhe se gjendja e saj klinike ishte shumë e rëndë.
Cana njoftoi se në klinikë është e shtruar edhe një paciente tjetër me formë të rëndë të sëmundjes, e cila prej gati një muaji ndodhet në kujdes intensiv dhe mbahet në ventilim mekanik.
Ai theksoi se është inkurajuese që nga 25 shtatori nuk është regjistruar asnjë rast i ri i shtruar në spital.



