VLEN: Gjashtë policë të suspenduar, askush nuk mund t’i ikë përgjegjësisë!

Gjashtë policë janë suspenduar pas dhunës brutale të ushtruar ndaj dy të rinjve nga Saraji. Institucionet reaguan në kohë rekord dhe ndaj tyre kanë nisur procedurat disiplinore. Rasti nuk u la pa përgjigje. MPB-ja ka kryer pjesën e saj të punës, ndërsa procedurat e mëtejshme i udhëheq Prokuroria.
Dhuna policore nuk ka vend në vendin tonë. Uniforma është për ta mbrojtur qytetarin, jo për ta rrahur. Asnjë dyshim ndaj një personi nuk e arsyeton keqtrajtimin e tij.
Por, sapo dolën pamjet, opozita shqiptare tentoi ta kthente dhunën ndaj dy të rinjve në betejë politike. Nisën akuzat, propaganda dhe përpjekjet për t’i dhënë ngjyrim etnik këtij rasti.
Suspendimi i gjashtë policëve është dëshmi se sistemi funksionon. Kjo është fitore e integritetit përballë manipulimeve. Fitore e arsyes së shëndoshë ndaj përpjekjeve për të nxitur tensione ndëretnike.
E tani, meqë BDI-ja kërkoi edhe dorëheqjen time, kam disa fjalë për ju që shpifjen e propagandën e keni në majë të gjuhës.
Për njëzet vjet ishit në pushtet. Gjatë qeverisjes suaj ndodhën ngjarje makabre, shumë prej të cilave lidhen me veprimet e policisë dhe të institucioneve të drejtësisë. Ngjarje që shqiptarët nuk i harrojnë.
Nuk harrohet “Sopoti”, ku i latë njerëzit të kalben burgjeve.
Nuk harrohet djegia e dyqaneve shqiptare, ndërsa ju vazhdonit të rrinit si dekor në pushtet.
Nuk harrohet “Monstra”, as fyerja ndaj shqiptarëve me termin “indijanci”.
Nuk harrohet vdekja e Rexhail Qerimit në burg.
Nuk harrohet vrasja e Harun Aliut.
Nuk harrohet as vrasja e Xhemail Rexhepit (Komandant Shqiponjës).
Për të gjitha këto raste, dhe shumë të tjera, çka bëtë JU? Asgjë. Heshtët!
Sado që mundoheni t’i fshini me gomë nga memoria kolektive e shqiptarëve, nuk do t’ia dilni. Nuk do t’ia dilni, sepse shqiptarët ju mbajnë mend mirë. Ju jeni parti me shumë mëkate, fund e krye.
Të nderuar,
Koha e rasteve të montuara, e vrasjeve, e hajdutërive dhe e skenarëve për hesape politike ka marrë fund me BDI-në në opozitë. Ka marrë fund edhe koha kur dikush mendonte se mund të bënte ç’të donte pa dhënë llogari.
Ajo kohë nuk kthehet më. Kurrë. Asnjëherë!


