Zv/kryeministri i parë Bekim Sali për suspendimin e gjashtë policëve: Askush nuk është mbi ligjin

Zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali, e ka vlerësuar si lajm të mirë vendimin për suspendimin e gjashtë policëve pas rastit të përdorimit të tepruar të forcës ndaj dy shqiptarëve. Sipas tij, ky vendim dëshmon se institucionet duhet të veprojnë me seriozitet dhe pa përjashtime kur bëhet fjalë për shkeljen e ligjit.
“Vendimi për suspendimin e gjashtë policëve për dhunën e tepruar dhe brutale ndaj dy shqiptarëve është një lajm i mirë dhe një dëshmi se shteti i së drejtës dhe kjo qeveri funksionojnë.
Çdo rast i tejkalimit të kompetencave dhe i përdorimit të dhunës duhet të trajtohet me seriozitet, pa dallim dhe pa përjashtime. Askush nuk mund të jetë mbi ligjin dhe askush nuk duhet të mbajë përgjegjësi për shkak të përkatësisë së tij, por secili duhet të përgjigjet për veprimet e veta.
Dallimi qëndron te mënyra se si reagojnë institucionet. Kur rastet hetohen, kur merren masa dhe kur përgjegjësia kërkohet në kohë, dëshmohet se ligji vlen për të gjithë.
Kjo është rruga e një shteti të së drejtës, ku drejtësia, barazia dhe përgjegjësia nuk janë vetëm fjalë, por parime që duhet të zbatohen në praktikë. Askush nuk është mbi ligjin!”, ka shkruar Sali.



