Astrit Iseni: 6 policët do të suspendohen, ndaj tyre do të iniciohet procedurë disiplinore

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, ka reaguar lidhur me rastin e përdorimit të tepruar të forcës fizike nga punonjësit e policisë gjatë ngjarjes së 7 tetorit në Shkup, duke paralajmëruar suspendimin e 6 policëve dhe inicimin e procedurave disiplinore ndaj tyre.
Përmes një reagimi publik, Iseni ka theksuar se uniforma policore përfaqëson përgjegjësinë për mbrojtjen e qytetarëve dhe se çdo keqpërdorim i saj cenon dinjitetin e qytetarëve, besimin në polici dhe autoritetin e shtetit.
“Si zëvendësministër i Punëve të Brendshme, qëndrimi im është i prerë: përdorimi i forcës është i papranueshëm dhe çdo shkelje e konstatuar kërkon përgjegjësi”, ka deklaruar Iseni.
Sipas tij, pas shqyrtimit të incizimeve, deklaratave të dëshmitarëve dhe kontrolleve të kryera lidhur me incidentin, Departamenti i Kontrollit të Brendshëm ka konstatuar një sërë parregullsish në veprimet e punonjësve policorë.
Si rezultat, 6 policët do të suspendohen nga puna, ndërsa ndaj tyre do të iniciohen procedura disiplinore për shkelje të rendit dhe disiplinës në punë.
Iseni ka theksuar se përgjegjësia nuk përfundon me suspendimin, pasi institucionet kompetente po vazhdojnë procedurat për dokumentimin e plotë të rastit. Sipas tij, në bazë të urdhrave të prokurorive kompetente po kryhen ekspertiza dhe po grumbullohen prova, mbi të cilat do të përcaktohet përgjegjësia eventuale penale.
“As uniforma, as funksioni dhe as përkatësia nuk e përjashtojnë askënd nga zbatimi i ligjit”, ka theksuar zëvendësministri.
Në fund, Iseni ka nënvizuar se qytetarët meritojnë siguri, dinjitet dhe një polici që ushtron autoritetin me profesionalizëm, duke shtuar se besimi në institucionet policore mund të ruhet vetëm përmes përgjegjësisë për çdo shkelje të konstatuar.
“Besimi në polici mbrohet duke kërkuar përgjegjësi për çdo shkelje. Ky është detyrimi ynë dhe ky është qëndrimi im”, ka përfunduar Iseni.



