Cisterna e naftës përfshihet nga zjarri pasi goditet nga një objekt i panjohur në Ngushticën e Hormuzit

Operacioni i Tregtisë Detare të Mbretërisë së Bashkuar (UKMTO) ka bërë të ditur se një cisternë nafte është përfshirë nga zjarri pasi u godit nga një objekt i panjohur në Ngushticën e Hormuzit, transmeton Anadolu.
UKMTO tha se kapiteni i cisternës që po largohej nga zona raportoi se anija ishte goditur në anën e majtë, duke shkaktuar zjarr në bord.
Ekuipazhi raportohet se është i sigurt, ndërsa shkalla e dëmeve dhe ndikimi i mundshëm në mjedis mbeten të panjohura.
Autoritetet kanë nisur hetimet, ndërsa anijeve u është këshilluar të lundrojnë me kujdes në këtë zonë.
Incidenti ndodhi disa orë pasi trupat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) mbrëmë vonë njoftoi se një supercisternë nafte kishte goditur një minë detare dhe kishte shpërthyer teksa po përpiqej të largohej nga Ngushtica e Hormuzit përmes një rruge jugore të paautorizuar.
IRGC-ja tha se anija, e cila sipas saj kishte kapacitet për të transportuar rreth 2 milionë fuçi naftë, i kishte fikur sistemet e navigimit përpara se të përpiqej të kalonte nëpër këtë rrugë jetike detare për furnizimin global me energji dhe mallra.
Sipas IRGC-së, cisterna goditi një minë teksa po përpiqej të largohej përmes rrugës alternative, duke shkaktuar një shpërthim që u pa edhe nga zonat bregdetare.
Më 12 korrik, Irani njoftoi se kishte mbyllur sërish këtë rrugë ujore pas rifillimit të sulmeve amerikane më 8 korrik.
Teherani ka kërcënuar gjithashtu se do të shënjestrojë anijet që përdorin rrugë të tjera nga ato të përcaktuara nga autoritetet iraniane ose që përpiqen të kalojnë nëpër ngushticë pa leje.
SHBA-ja dhe Izraeli nisën një luftë kundër Iranit më 28 shkurt, e cila, sipas Teheranit, ka shkaktuar vdekjen e më shumë se 3.000 personave. Irani u kundërpërgjigj me sulme që shkaktuan vdekjen e shtetasve amerikanë dhe izraelitë, përpara se në prill të arrihej një armëpushim.
Më pas, SHBA-ja kreu sulme të tjera ndaj objektivave iraniane, në një kohë kur negociatat mes Washingtonit dhe Teheranit kishin ngecur, pavarësisht nënshkrimit të një marrëveshjeje kornizë në qershor.
Bisedimet kanë mbetur në ngërç për shkak të mosmarrëveshjeve lidhur me lundrimin në këtë rrugë ujore strategjike.



