Arrestohen drejtori dhe një punonjëse e një filiale të “Pyjeve Kombëtare” – sekuestrohet dru për ngrohje

Kire Mihajlov, zëvendësdrejtori i ndërmarrjes publike “Pyjet Kombëtare”, ka shkruar në Facebook se gjatë ditëve të fundit janë arrestuar drejtori i filialit “Bor” në Prilep dhe një punonjëse e filialit “Babuna” në Veles. Ata dyshohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare.
Mihajlov thekson se, sipas informacioneve nga Ministria e Punëve të Brendshme, ekzistojnë prova dhe indicie serioze se personat e arrestuar kanë shkelur ligjin.
Ai bën të ditur se para disa ditësh është ngritur kallëzim penal edhe ndaj një punonjësi të filialit në Sveti Nikollë, i cili kishte qenë drejtor gjatë mandatit të përbërjes së mëparshme qeverisëse.
Dëmi vlerësohet në më shumë se 50 mijë euro.
“Nuk e di kush dhe sa më beson e më kupton kur them se drejtësia vlen për të gjithë dhe se nuk ka të mëdhenj e të vegjël, tanët e tuajt. Është e thjeshtë: kushdo që ka shkelur ligjin, do të përgjigjet!”, thekson Mihajlov.



