OKB: Furnizimet për strehim në Gaza mbulojnë 17 për qind të nevojave, 2 milionë njerëz kanë nevojë për ndihmë

Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) ka bërë të ditur se afër 2 milionë palestinezë në Gaza kanë nevojë urgjente për ndihmë për strehim ndërsa dimri po afrohet dhe kufizimet izraelite vazhdojnë të pengojnë hyrjen e furnizimeve jetike, transmeton Anadolu.
IOM njoftoi se pothuajse e gjithë popullsia e Gazës vazhdon të ketë nevojë për ndihmë për strehim, një vit pas shpalljes së armëpushimit dhe se rezervat e disponueshme dhe furnizimet që po mbërrijnë mbulojnë vetëm 17 për qind të nevojave të identifikuara për dimër.
“Familjet që tashmë kanë përjetuar zhvendosje të përsëritura dhe humbje shkatërruese duhet të jenë në gjendje ta përballojnë dimrin në kushte sigurie dhe dinjiteti”, tha drejtoresha e përgjithshme e IOM-it, Amy Pope.
Më shumë se gjysma e tendave dhe strehimoreve të improvizuara janë në “gjendje të keqe” dhe duhet të zëvendësohen, ndërsa shumë palestinezë jetojnë në ndërtesa të dëmtuara nga lufta, të cilat rrezikojnë të shemben.
Një vlerësim i kryer nga një partner i IOM-it identifikoi më shumë se 3.600 ndërtesa që kërkojnë shembje, largim të mbetjeve ose evakuim për shkak të rreziqeve për sigurinë.
Ndërkohë, afër 1.8 milionë njerëz jetojnë në vendstrehime për personat e zhvendosur, 56 për qind e të cilave përballen me rrezik mesatar deri të lartë nga përmbytjet. Kjo ngre shqetësime për zhvendosje të mëtejshme me afrimin e reshjeve të dendura të shiut.
Agjencia tha se rreth 8.600 komplete për strehim emergjent kanë mbetur të bllokuara jashtë Gazës, pasi autoritetet izraelite refuzuan hyrjen e tyre.
IOM bëri thirrje për lejimin e menjëhershëm dhe të vazhdueshëm të tendave, kompleteve për strehim emergjent, njësive të banimit të përkohshëm dhe materialeve të ndërtimit, me qëllim forcimin e strehimoreve, riparimin e shtëpive të dëmtuara dhe sigurimin e akomodimit më të sigurt.
Agjencia theksoi se pajisjet, karburanti dhe pjesët rezervë janë gjithashtu thelbësore për largimin e rrënojave dhe për rimëkëmbjen e hershme. “Zgjidhjet dihen, furnizimet janë gati dhe ekipet humanitare janë të përgatitura për t’i shpërndarë ato”, tha Pope.


