Ligji për Specialen, Kurti: Ndryshimet janë të ngutshme, por do t’i mbështesim

Kuvendi i Kosovës shqyrton sot ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, të propozuara nga PDK-ja.
Kryeministri Albin Kurti tha se lufta e UÇK-së “ishte e drejtë” dhe se, sipas tij, UÇK-ja nuk ishte vetëm përgjigje ndaj suprimimit të autonomisë së Kosovës, por edhe ndaj asaj që ai e quajti gjenocid të Serbisë ndaj Kosovës.
“Për UÇK-në nuk mund të ketë gjyq”, tha Kurti.
Duke folur për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, ai tha se koha për analizimin e tyre ka qenë e shkurtër dhe se LVV-ja i konsideron këto veprime të ngutshme.
“Veprime të ngutshme janë bërë edhe në vitin 2015”, tha Kurti, duke shtuar se zemërimi i qytetarëve ndaj Speciales është, sipas tij, i drejtë dhe ka ekzistuar edhe atëherë, por nuk është marrë parasysh.
Kurti tha se përgjegjësinë për krijimin e Dhomave të Specializuara e mbajnë ata që e votuan themelimin e tyre, më 2015.
“Ne po ju mbështesim sot”, tha ai.
Kurti tha se rruga për të kundërshtuar aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së është procesi i apelit.
“Adresa e fitores është apeli”, tha Kurti.
Sipas tij, për këtë nevojitet “organizim dhe strategji shtetërore e kombëtare”, e cila nuk duhet të jetë partiake.
“Nuk ndihmojnë veprimet pa strategji”, tha Kurti.



