Zelensky dhe Putin kërcënojnë me sulme të reja, ndërsa Rusia paralajmëron të huajt

Rusia është zotuar se do të intensifikojë sulmet e saj të pandërprera ndaj Kievit dhe ka paralajmëruar diplomatët e huaj dhe vizitorët e tjerë që të largohen nga vendi, përndryshe do të ekspozohen ndaj “rrezikut vdekjeprurës”, ndërsa lideri i Ukrainës tha se vendi i tij do t’i përgjigjet fushatës vdekjeprurëse ajrore të Kremlinit.
“Ministria e Jashtme ruse edhe një herë paralajmëron shtetasit e huaj, përfshirë stafin e misioneve diplomatike, që të mos qëndrojnë në Ukrainë ose të udhëtojnë drejt territorit të saj”, tha ministria më 3 tetor.
“Përgjegjësia për çdo pasojë negative bie tërësisht mbi ata që e shpërfillin këtë paralajmërim”, tha ajo, duke shtuar se “jo të gjithë u janë bindur këtyre paralajmërimeve dhe po i ekspozojnë me vetëdije jetët e tyre ndaj rrezikut vdekjeprurës”.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ndërkohë, tha se shërbimet e inteligjencës së Kievit kishin siguruar dokumente që tregonin se lideri rus, Vladimir Putin, kishte nxjerrë një “doktrinë të re” për sulmet ushtarake ndaj një game më të gjerë objektivash civile, në prag të muajve të ashpër të dimrit që po afrohen.
“Ne pamë dokumentet dhe e dimë se ato u lejojnë atyre të sulmojnë infrastrukturën, logjistikën dhe, veçanërisht, të sulmojnë në qytete, në fshatra, kudo, rrugë, shkolla, spitale”, tha Zelensky në një intervistë për Reuters.
“Për t’u bërë presion njerëzve që të largohen nga kryeqyteti, të largohen nga qytete të ndryshme: ky është qëllimi i operacionit.”
Zelensky tha se forcat e tij nuk do të godasin infrastrukturën civile.
“Ne duhet të përgjigjemi në çdo mënyrë [që mundemi]. Me sulmet e tyre ndaj energjisë sonë, ne duhet të përgjigjemi ndaj energjisë së tyre. Para së gjithash, rafineritë e naftës etj.: ajo që u sjell atyre para për këtë luftë”, tha Zelensky, duke folur në anglisht, për agjencinë e lajmeve.
“Por, ne nuk do të përgjigjemi… siç bëjnë ata, ndaj ndonjë objekti civil”, shtoi ai.
Moska intensifikon fushatën ajrore
Rusia ka përshkallëzuar sulmet ndaj infrastrukturës në kryeqytetin ukrainas dhe qytete të tjera, ndërsa afrohen muajt e dimrit. Në një sulm më 3 tetor, forcat e Kremlinit goditën një urë mbi lumin Dnjepër.
Dhjetëra njerëz janë vrarë dhe plagosur në kryeqytet, ndërsa sulmet e fundit kanë shkaktuar dëme të mëdha.
Putin tha se Ukraina po paguante çmimin për sulmet e saj ndaj Rusisë dhe se forcat e Moskës do të vazhdonin fushatën për ta ndëshkuar Kievin.
Ukraina gjithashtu ka shtuar sulmet e saj brenda Rusisë, duke shënjestruar rafineritë e naftës dhe objektet e lidhura me to, të cilat Kievi thotë se përdoren për të financuar luftën gjithëpërfshirëse kundër Ukrainës, e cila është intensifikuar pas pushtimit të plotë rus në shkurt të vitit 2022.
Shumë shtete kanë lëshuar paralajmërime kundër udhëtimit në Ukrainë, por gjithashtu kanë mbajtur përfaqësi diplomatike brenda vendit të përfshirë nga lufta.
Jashtë kryeqytetit, Rusia tha se kishte goditur një anije mallrash në portin ukrainas të Odesës. Administrata e porteve detare të Ukrainës tha se Rusia kishte sulmuar një anije mallrash me flamur liberian në rajon, duke vrarë një person dhe plagosur tre të tjerë.
Moldavia dënon Rusinë
Ndërkohë, Moldavia thirri ambasadorin rus pas asaj që e cilësoi si shkeljet e fundit të hapësirës së saj ajrore nga dronë dhe raketa që depërtuan nga territori i luftës.
Presidentja pro-perëndimore, Maia Sandu, tha se incidenti – dhe një incident i ngjashëm më herët gjatë javës – tregoi se lufta e Rusisë në Ukrainë “po arrin në Moldavi”.
“Moska po vë në rrezik jetë në mbarë Evropën dhe duhet të ndalet”, shkroi ajo në X.
“E dënoj sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës këtë mëngjes. Lufta e saj po arrin në mënyrë të rrezikshme në Moldavi. Pesë mjete ruse të sulmit ajror, përfshirë raketa Banderol dhe dronë, shkelën hapësirën tonë ajrore dhe shpërthyen në territorin tonë”, tha ajo.



