12 shoferë të privuar nga liria në 24 orët e fundit, tetë prej tyre pa patentë

Dymbëdhjetë shoferë janë privuar nga liria gjatë 24 orëve të fundit në lokacione të ndryshme në vend, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “drejtim i pakujdesshëm i automjetit”, njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme.
Sipas MPB-së, tetë prej personave kanë drejtuar automjete pa e dhënë provimin e vozitjes. Bëhet fjalë për M.L. (40), A.Sh. (22) dhe J.B. (30) nga Shkupi, I.R. (24) nga fshati Sveta Petkë, A.R. (23) nga fshati Belovishtë, S.A. (35) nga fshati Melnicë, N.M. (28) nga fshati Zërnovc, si dhe një 17-vjeçar nga një fshat në Komunën e Gradsko.
Dy persona të tjerë janë ndaluar pasi kanë drejtuar automjete nën ndikimin e alkoolit. Ata janë N.P. (29) nga Kumanova dhe M.N. (19) nga Shkupi.
Ndërkohë, S.N. (37) nga Kërçova dhe R.H. (37) nga fshati Rashçe kanë drejtuar automjete pavarësisht se ndaj tyre kishte masë ndalimi për drejtimin e automjetit.
Nga MPB-ja bëjnë të ditur se pas dokumentimit të plotë të rasteve, ndaj personave të përfshirë do të parashtrohen kallëzime përkatëse penale.
Policia u ka bërë apel pjesëmarrësve në trafik që të respektojnë rregullat dhe dispozitat e komunikacionit dhe të mos drejtojnë automjete pa e dhënë provimin e vozitjes, gjatë masës së ndalimit për drejtim apo nën ndikimin e alkoolit.



