Serbia në fokus të Senatit amerikan, projektligji parashikon sanksione

Një projektligj dypartiak për Serbinë është paraqitur në Senatin amerikan nga republikani Chuck Grassley dhe demokrati Richard Blumenthal. Nisma, e regjistruar si S.5611, synon forcimin e demokracisë, sundimit të ligjit dhe institucioneve të pavarura në Serbi.
Projektligji parashikon përdorimin e mekanizmave amerikanë të sanksioneve ndaj individëve që përfshihen në korrupsion, shkelje të rënda të të drejtave të njeriut ose që kërcënojnë paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.
Në fokus është edhe ndikimi i Rusisë dhe Kinës në Serbi, ndërsa projektligji kërkon raportim për lidhjet politike, ekonomike dhe të sigurisë me këto dy vende.
Nisma është referuar Komisionit për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit. Ajo nuk është ende ligj dhe nuk nënkupton vendosjen automatike të sanksioneve ndaj Serbisë.



