Patriarku Latin i Kudsit shpreh dhimbje për dy gratë e krishtera të vrara nga Izraeli në Gaza
Një nënë e krishterë dhe vajzë e e saj ishin mes pesë palestinezëve të vrarë në një sulm ajror izraelit në Qytetin e Gazës.

Patriarku Latin i Kudsit, kardinali Pierbattista Pizzaballa, të shtunën shprehu ngushëllime për dy gra të krishtera palestineze të vrara nga Izraeli në një sulm ajror në Qytetin e Gazës.
Ushtria izraelite goditi një apartament në lagjen Rimal të Qytetit të Gazës, duke vrarë pesë persona, përfshirë një nënë të krishterë dhe vajzën e saj, si dhe duke plagosur disa të tjerë, thanë burime mjekësore për Anadolu.
Pizzaballa shprehu “dhimbje dhe pikëllim të thellë” për vdekjen e dy grave të krishtera dhe u shprehu ngushëllimet familjeve të tyre.
Ai tha se ceremonia mortore do të mbahet të shtunën në orën 12:00 sipas kohës lokale në Kishën e Shën Porfirit në Qytetin e Gazës.
Më herët të shtunën, edhe Kisha Ortodokse Greke e Shën Porfirit në Qytetin e Gazës shprehu dhimbje për vdekjen e dy grave të krishtera.
Në një postim në faqen e saj në Facebook, kisha tha se vikari patriarkal, peshkopi Alexios, prifti i kishës, arkimandriti Silas, dhe anëtarët e kongregacionit i shprehën “ngushëllimet e tyre më të thella” familjes së dy viktimave.
Sulmi ndodhi pavarësisht marrëveshjes së armëpushimit që ka qenë në fuqi në Rripin e Gazës që nga 10 tetori 2025.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, ushtria izraelite ka vrarë më shumë se 1.400 palestinezë dhe ka plagosur mbi 5.000 të tjerë që nga armëpushimi.
Që nga tetori i vitit 2023, ushtria izraelite ka vrarë mbi 74.000 persona dhe ka plagosur më shumë se 175.000 të tjerë në një ofensivë të ashpër, e cila ka shkatërruar gjithashtu 90 për qind të infrastrukturës së Gazës. (AA)



