Goditen shitësit ilegalë në Shkup, sekuestrohen 500 kg ushqime

Rreth 500 kilogramë ushqime janë sekuestruar gjatë një kontrolli të jashtëzakonshëm inspektues të zhvilluar këtë mëngjes në aksin nga Qendra Tregtare “Mavrovka” deri te Bit-Pazari në Shkup.
Aksioni ishte i përqendruar te tezgat e vendosura në mënyrë të paligjshme përgjatë bulevardit “Krste Petkov Misirkov”, ku pika të improvizuara shitjeje ishin vendosur në shtigjet për këmbësorë dhe biçikleta.
Kontrolli u zhvillua nga inspektorët e Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari, në koordinim me inspektorët komunalë të Qytetit të Shkupit, Inspektoratin Shtetëror të Tregut dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme.
Nga Agjencia për Ushqim dhe Veterinari bëjnë të ditur se janë larguar të gjitha tezgat e vendosura në mënyrë të paligjshme, shumica e të cilave ishin të destinuara për shitjen e frutave dhe perimeve.
Përveç ushqimeve, është larguar edhe e gjithë pajisja e shitjes e vendosur në shtigjet për këmbësorë dhe biçikleta.
Personave që shisnin në mënyrë të paligjshme do t’u shqiptohen masat përkatëse kundërvajtëse, në koordinim me inspektorët komunalë të Qytetit të Shkupit.
Ndërkohë, në një aksion tjetër të zhvilluar dje në bashkëpunim me SPB-në e Gostivarit, Agjencia për Ushqim dhe Veterinari ka sekuestruar edhe 150 kilogramë mish me afat të skaduar, pa deklaratë dhe me origjinë të panjohur.
Mishi është gjetur në një pronë private në fshatin Çajle.
Mishi i sekuestruar është asgjësuar në mënyrë të padëmshme në deponinë “Rusino”.



