Fisnik Mela pret ambasadorin e BE-së, Michalis Rokas: Fokus te projektet evropiane dhe zhvillimi i Dibrës

Kryetari i Komunës së Dibrës, Fisnik Mela, priti sot në një vizitë zyrtare Shkëlqesinë e Tij, Michalis Rokas, Ambasador i Bashkimit Evropian në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Gjatë takimit u diskutua për projektet e realizuara dhe të financuara nga Bashkimi Evropian në Komunën e Dibrës, si dhe për projektet e reja dhe ato që janë aktualisht në proces. Kryetari Mela theksoi rëndësinë e këtyre investimeve për zhvillimin e qytetit dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve.
Në kuadër të vizitës, ambasadori Rokas zhvilloi takim edhe me Këshillin e Komunës së Dibrës, ku u zhvillua një diskutim i hapur me këshilltarët komunalë. Gjatë takimit u ngritën çështje me interes për qytetin, ndërsa u adresuan edhe kërkesa, pyetje dhe propozime për mbështetjen e mëtejshme evropiane.
Vizita u zhvillua në frymën e bashkëpunimit dhe dialogut, duke vënë në pah rëndësinë e mbështetjes së Bashkimit Evropian për zhvillimin e Dibrës, realizimin e projekteve konkrete dhe krijimin e mundësive të reja për qytetarët.

