Shkëndija dhe Universiteti i Tetovës bashkojnë sportin me dijen
KF Shkëndija dhe Universiteti i Tetovës kanë nënshkruar Memorandum Bashkëpunimi, duke formalizuar një bashkëpunim të ri institucional, me synim lidhjen më të ngushtë mes sportit, arsimit dhe shkencës, si dhe krijimin e mundësive konkrete për zhvillimin e të rinjve.
Memorandumi është nënshkruar në Tetovë nga Drejtori Ekzekutiv i KF Shkëndijës, Valdrin Uka, dhe Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti. Marrëveshja parasheh bashkëpunim në disa fusha, duke nisur nga praktika profesionale e studentëve pranë strukturave të klubit, deri te ligjëratat, seminaret dhe punëtoritë praktike me ekspertë të të dyja institucioneve.
Një fokus i rëndësishëm i marrëveshjes është edhe kërkimi shkencor dhe testimet sportive, ku kapacitetet akademike dhe laboratorike të Universitetit të Tetovës mund të kontribuojnë në monitorimin dhe zhvillimin e performancës së futbollistëve, përgatitjes fizike, rikuperimit dhe metodologjive bashkëkohore të stërvitjes.
Bashkëpunimi hap gjithashtu mundësi për projekte të përbashkëta vendore dhe ndërkombëtare, përfshirë Erasmus+ Sport, organizimin e konferencave dhe aktiviteteve sportive, si dhe mbështetjen e futbollistëve të rinj të Shkëndijës në ndjekjen e studimeve universitare përmes konceptit të karrierës së dyfishtë.
Memorandumi, i cili është i vlefshëm për një periudhë trevjeçare, krijon bazën për iniciativa dhe projekte të reja që mund të konkretizohen në vazhdim, me zhvillimin e sportit, dijes dhe gjeneratave të reja në qendër të këtij bashkëpunimi.

