Ministri izraelit Smotrich: Izraeli duhet të bëjë në Bregun Perëndimor atë që bëri në Gaza

Ministri izraelit i Financave, Bezalel Smotrich, bëri thirrje të dielën për nisjen e një lufte në Bregun Perëndimor të pushtuar, të ngjashme me luftën gjenocidale të Izraelit në Rripin e Gazës, transmeton Anadolu.
“Tel Avivi duhet të bëjë atje (në Bregun Perëndimor) atë që bëmë në Gaza”, tha Smotrich për gazetën izraelite Yedioth Ahronoth.
Smotrich përsëriti thirrjen e tij për shpërbërjen e Autoritetit Palestinez, i cili ushtron kontroll të kufizuar mbi pjesë të Bregut Perëndimor.
Deklaratat e tij vijnë mes shtimit të kufizimeve izraelite ndaj lëvizjes së palestinezëve në Bregun Perëndimor, përfshirë mbylljen e pikave të kontrollit dhe bllokimin e rrugëve që izolojnë komunitetet dhe pengojnë qasjen në punë, shtëpi dhe shërbime thelbësore.
Që nga fillimi i luftës së Izraelit në Rripin e Gazës në tetor 2023, ushtria izraelite dhe pushtuesit kanë intensifikuar sulmet në Bregun Perëndimor, duke vrarë më shumë se 1.206 palestinezë, plagosur mbi 13.300 dhe arrestuar afro 26.000 të tjerë, sipas të dhënave palestineze.
Sulmet përfshijnë shembjen e shtëpive dhe strukturave të tjera, djegien e xhamive, rrafshimin e tokave bujqësore me buldozerë, pengimin e fermerëve për të hyrë në tokat e tyre, zhvendosjen e palestinezëve dhe zgjerimin e vendbanimeve të paligjshme.
Afro 74.000 palestinezë janë vrarë dhe më shumë se 175.000 të tjerë janë plagosur në luftën gjenocidale të Izraelit në Gaza që nga viti 2023. Ofensiva ka shkatërruar gjithashtu rreth 90 për qind të infrastrukturës së enklavës.
Pavarësisht armëpushimit që hyri në fuqi më 10 tetor 2025, ushtria izraelite ka vazhduar sulmet e përditshme në Gaza, duke vrarë më shumë se 1.400 palestinezë dhe plagosur rreth 5.000 të tjerë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës.



