Autoritetet amerikane të aviacionit hetojnë një problem softuerik që ndikon te disa avionë Boeing 737 Max

Administrata Federale e Aviacionit e SHBA-së (FAA) po heton një problem softuerik që ndikon te disa avionë Boeing 737 Max, i cili mund të shkaktojë çaktivizimin e një sistemi automatik të drejtimit të fluturimit gjatë disa uljeve të anuluara, raportuan mediat të shtunën, transmeton Anadolu.
Problemi mund të shfaqet gjatë një tentative të dështuar për ulje kur autopiloti është i aktivizuar dhe pilotët ndryshojnë planin e paraprogramuar të fluturimit, duke shkaktuar potencialisht çaktivizimin e sistemit të navigimit vertikal të avionit, ose VNAV, tha CBS News.
Boeing tha se autopiloti do të vazhdojë të funksionojë edhe nëse VNAV çaktivizohet dhe se pilotët janë trajnuar për të ulur avionin në mënyrë të sigurt edhe pa këtë sistem.
“Muajin e kaluar, ne informuam të gjithë operatorët e 737 për një problem softuerik, për shkak të të cilit pilotët mund të mos kenë qasje në drejtimin automatik të fluturimit gjatë një skenari të caktuar uljeje”, citoi media një zëdhënës të Boeingut.
Kompania tha se po zhvillon një përditësim softuerik për ta zgjidhur përfundimisht problemin.
Sipas lajmit, problemi prek versionet 14 dhe 14.1 të sistemit operativ të kompjuterit të menaxhimit të fluturimit të avionëve Max.
“FAA-ja është në dijeni të një problemi të mundshëm në një përditësim softuerik për kompjuterët e fluturimit në disa avionë Boeing 737 MAX dhe po punon ngushtë me Boeingun dhe kompanitë ajrore”, tha agjencia, sipas CBS-it.
FAA-ja tha se do të mbledhë Bordin e Shqyrtimit të Masave Korrigjuese dhe do të “ndërmarrë veprime të menjëhershme” nëse identifikohet ndonjë shqetësim për sigurinë.
Boeing u njoftua për herë të parë për problemin nga një kompani ajrore në nëntor 2024 dhe fillimisht, në shkurt 2025, përcaktoi se ai nuk përbënte problem sigurie.
Kompania më vonë nisi një shqyrtim formal të sigurisë pasi mori informacione shtesë nga operatorët, ndërsa gjetjet e saj iu dorëzuan FAA-së këtë muaj.
Shqyrtimi mund të vonojë më tej certifikimin e 737 Max 10 dhe dorëzimet e modelit Max 7, i cili është certifikuar së fundmi.



