Jeton Shasivari pyet publikisht Ali Ahmetin: Çfarë dëshmove 15 orë në Gjykatën Speciale

Më 26 shtator të vitit 1998, sipas biografisë zyrtare të Ali Ahmetit, ndaj tij është organizuar një pritë në Shqipëri, nga e cila, siç thotë vetë BDI-ja, Ahmeti ka shpëtuar në momentet e fundit.
Sot, në përvjetorin e 28-të të kësaj ngjarjeje, ministri i Drejtësisë Jeton Shasivari përkujton se po në shtator të vitit 2020, Ali Ahmeti dha një dëshmi 15 orëshe në Hagë.
“26 SHTATORI 1998: PRITA.
2-3 SHTATORI 2020: DËSHMIA.
Dy ngjarje.
I njëjti person.
22 vjet diferencë.
Më 26 shtator 1998, sipas të dhënave publike, ndodhi prita ndaj Komandant Soravia, me pasoja të mundshme fatale.
22 vjet më vonë, më 2-3 shtator 2020, ai dëshmoi rreth 15 orë në Prokurorinë Speciale në Prishtinë.
Kanë kaluar 6 vite nga ajo dëshmi?
Çfarë dëshmoi në Prokurorinë Speciale?”, shkruan Shasivari.
Ai thotë se këto janë pyetje publike që meriton t’i dijë opinioni, pa paragjykime dhe akuza.
Por çfarë ndodhi më 26 shtator të vitit 1998? Në biografinë e Ali Ahmetit, e cila është publike në faqen e BDI-së, kjo “pritë” konsiderohet si më seriozja në veprimtarinë e tij. Në përshkrimin e ngjarjes, nuk përmendet se ngjarja ka ndodhur në Shqipëri.
“Gjatë veprimtarisë së tij ilegale ka pas disa tentative për eliminimin e Ali Ahmetit por më serioze ngelet ajo e datës 26 shtator të vitit 1998, ku në momente të fundit shpëton nga një pritë sulmi me pasoja fatale”, thuhet në biografinë e Ali Ahmetit.
Më shumë detaje rreth kësaj ngjarje jep libri biografik “I vërteti” nga Bedri Islami, i cili pretendon se përshkruan veprimtarinë e Ali Ahmetit.
“Disa vite më vonë, më ka rënë rasti ta kem njohur ngjarjen, ndoshta më hollësisht nga sa mund të shkruhet, ndalesën e tij në rrugën drejt Durrësit nga njerëz të panjohur, ndonjëri edhe i uniformuar, t cilët, ndoshta do të kishin bërë më tej, nëse nuk do të ishin ndaluar nü momentin e fundit, jo për dëshirën e tyre”, thotë autori në faqen 75 të këtij libri, pa sqaruar se çfarë uniforma bartnin sulmuesit.
Por në vazhdim të përshkrimit, autori fajëson FARK-un, grup patriotësh shqiptarë që vepronte si ushtria zyrtare e shtetit paralel të Kosovës dhe ishin pjesë e luftës çlirimtare.
“Në shtatorin e vitit 1998, Abazi, krahas të tjerave, kishte marrë persiper mbikëgyr-jen e strukturave të logjistikës për zonën operative të Dukagjinit, dhe ishte e mundshme që njerëz të lidhur me strukturat e FARK-ut, pas deshtimit te puçit të shtatort 1998 ne Tirane, kerkuan nje peng, ku mund të shfrynin dufin e tyre. Ky eshtë mendimi im, mund të jetë i gabuar, por të gjitha shenjat të çojnë drejt saj. Më vonë, unë e diskutova këtë me një njeri, i cili, ndërsa ishte në lidhje me ne, gëndronte në strukturat e FARK-ut, dhe mëdyshja e tij e forcoi bindjen time”, thotë autori i librit “I vërteti”, kushtuar Ali Ahmetit.
Incidenti në fjalë bie brenda kornizës hetimore të Dhomave të Specializuara në Hagë. Prandaj, Shasivari shtron pyetjen: çfarë dëshmoi Ali Ahmeti para EULEX-it dhe a akuzoi ndonjë patriot shqiptar për ngjarjen e 26 shtatorit 1998?



