Pezeshkian: Irani është i hapur për zgjidhjen e mosmarrëveshjes me SHBA-në, por duhet të rindërtohet besimi

Presidenti iranian Masoud Pezeshkian tha të premten se Teherani mbetet i hapur për zgjidhjen e mosmarrëveshjes me Washingtonin, por theksoi se fillimisht duhet të rindërtohet besimi, teksa gjendej në Nju Jork për sesionin e 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, transmeton Anadolu.

Në një intervistë për CBS News, Pezeshkian tha se të dyja palët duhet “t’i përmbahen asaj që kemi shkruar”, ndërsa SHBA-ja “duhet të tregojë se nuk ka ndërmend të përmbysë qeverinë apo administratën tonë”.

Duke u kërkuar amerikanëve të marrin në konsideratë këndvështrimin e Iranit, ai tha: “Vëreni veten në pozicionin tonë. Imagjinoni sikur dikush të vinte dhe të vriste liderin tuaj suprem. Dhe më pas të mos i përmbahej gjithçkaje për të cilën kishit rënë dakord. Si do të reagonit? Nuk është diçka që mund të zgjidhet kaq thjesht”.

Ai vuri në pikëpyetje nëse Washingtoni po kërkon vërtet një zgjidhje. “Qëllimi i Amerikës është të përmbysë administratën tonë”, tha ai, duke vënë në dukje se “Izraeli e thotë këtë hapur; ajo që po bëjnë është neutralizimi i qeverisë, jo negociimi”.

Pezeshkian pyeti: “A mendoni se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë vërtet të interesuara për zgjidhjen e problemeve me ne? Atëherë, pse na bombardojnë në mes të negociatave? Pse vijnë dhe vrasin shkencëtarët, zyrtarët dhe njerëzit tanë?”

“Për sa kohë që nuk ndalojnë së bëri atë që na imponojnë çdo ditë, është e vështirë t’u besosh”, tha ai, duke iu referuar sanksioneve, kërcënimeve dhe sulmeve të përditshme. Ai pohoi se Washingtoni “nuk i respekton ato që ka vendosur me shkrim”, duke pyetur: “Pra, nëse hyjnë në bisedime, a do t’i zbatojnë ato që bien dakord?”

Presidenti iranian shprehu gjithashtu shpresën që paqja të “vendoset në rajon”, duke i bërë thirrje SHBA-së të ndalojë mbështetjen për Izraelin, i cili, sipas tij, “po kryen atë që ne e konsiderojmë gjenocid”, dhe të “veprojë mbi bazën e drejtësisë dhe barazisë”, në vend që të zhvendosë “njerëzit nga shtëpitë e tyre”, të vrasë “njerëz të pafajshëm” ose të shënjestrojë “fëmijët, spitalet dhe shkencëtarët”.

Më 28 shkurt, SHBA-ja dhe Izraeli nisën luftë kundër Iranit, e cila la mijëra të vrarë. Teherani u kundërpërgjigj me sulme ndaj Izraelit dhe objekteve amerikane në vende të ndryshme të rajonit.

Më vonë, SHBA-ja kreu sulme të tjera ndaj objekteve në Iran, mes ngërçit në negociatat mes Teheranit dhe Washingtonit, pavarësisht se të dyja palët nënshkruan një memorandum mirëkuptimi në mesin e qershorit.

Bisedimet që atëherë kanë ngecur për shkak të mosmarrëveshjeve lidhur me lundrimin përmes Ngushticës së Hormuzit, një prej rrugëve strategjike më të rëndësishme në botë për furnizimin me energji dhe mallra.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button