Juria amerikane e gjen kompaninë Meta përgjegjëse për praktika mashtruese lidhur me të dhënat e përdoruesve

Një juri në shtetin amerikan New Mexico e ka gjetur kompaninë Meta përgjegjëse për praktika të padrejta ose mashtruese tregtare, për shkak të deklaratave çorientuese që u garantonin përdoruesve të Facebook-ut se ata ruanin kontrollin mbi të dhënat e tyre personale, transmeton Anadolu.
Anëtarët e jurisë përcaktuan se kompania amerikane e mediave sociale, e cila është kompania mëmë e Facebook-ut, Instagram-it dhe WhatsApp-it, kishte kryer 2.1 milionë shkelje ligjore sipas Aktit të Praktikave të Padreja të shtetit, pasi shqyrtuan prova se përdoruesit ishin mashtruar në lidhje me masat mbrojtëse të privatësisë.
Gjyqtari që kryesoi procesin tani do të përcaktojë masat financiare, ndërsa prokurorët e shtetit kërkojnë vlerën maksimale prej 5.000 dollarësh për çdo shkelje. Një vendim i tillë mund ta ekspozojë konglomeratin teknologjik ndaj përgjegjësive të reja në vlerë prej miliarda dollarësh, përtej marrëveshjeve të mëparshme lidhur me sigurinë e fëmijëve.
“Shkelja e të dhënave të Facebook-ut nuk ekspozoi vetëm informacionet private, por zbuloi një model keq-paraqitjeje lidhur me mënyrën se si të dhënat e përdoruesve mblidheshin, ndaheshin dhe shfrytëzoheshin”, tha Prokurori i Përgjithshëm i New Mexicos, Raul Torrez, kur gjyqi nisi më 9 shtator.
Padia, e ngritur fillimisht në vitin 2021 pas polemikës së Cambridge Analytica-s në vitin 2018, pretendonte se mbledhja e paautorizuar e të dhënave politike kishte prekur rreth 350.000 banorë pa pëlqimin e vlefshëm të tyre.
Skandali i Cambridge Analytica-s lidhej me përdorimin e të dhënave personale për reklama politike të targetuara gjatë zgjedhjeve presidenciale amerikane të vitit 2016 dhe referendumit për Brexit-in në Mbretërinë e Bashkuar.
Së fundmi, Meta përfundoi një marrëveshje shumë-shtetëshe në vlerë prej 18 miliardë dollarësh, përmes së cilës u zgjidhën pretendimet se platformat e saj kishin krijuar qëllimisht varësi te përdoruesit e rinj.



