Sofja pranoi që BE-ja të jetë pjesë e bisedimeve me Maqedoninë, por theksoi se detyrimet mbeten

Ministria e Punëve të Jashtme e Bullgarisë iu përgjigj sot kërkesës së Shkupit që Bashkimi Evropian të përfshihet në bisedimet e ardhshme mes Maqedonisë dhe Bullgarisë, duke vlerësuar se anëtarësimi i vendit në BE është çështje evropiane dhe duhet të shqyrtohet në kuadër të institucioneve evropiane dhe procedurave tashmë të përcaktuara.
Qëndrimi i Sofjes vjen pasi ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, deklaroi se Maqedonia këmbëngul që në të gjitha bisedimet e ardhshme me Bullgarinë të ketë një përfaqësues të Bashkimit Evropian – përmes institucioneve evropiane ose përmes vendeve anëtare. Si arsye ai përmendi mungesën e besimit mes dy palëve.
Nga Ministria e Jashtme bullgare thonë se Bullgaria mbetet e hapur për dialog konstruktiv me Maqedoninë, por theksojnë se nga Shkupi presin përmbushjen e detyrimeve të marra tashmë dhe zbatimin e hapave të nevojshëm për vazhdimin e rrugës evropiane.
Me këtë, Sofja praktikisht nuk e hedh poshtë kërkesën e palës maqedonase që bisedimet të zhvillohen me përfshirjen e BE-së, por mbetet në qëndrimin se institucionet evropiane duhet të veprojnë brenda kornizës evropiane të negociatave, për të cilën tashmë është rënë dakord.
Pala bullgare edhe më herët ka këmbëngulur se përparimi i Maqedonisë duhet të bazohet në marrëveshjet e arritura në nivel të BE-së në korrik të vitit 2022. Në maj të këtij viti, pas takimit të ministrave të Jashtëm të dy vendeve, Ministria e Jashtme bullgare përsëriti se përmbushjen e plotë të detyrimeve nga konsensusi evropian i vitit 2022 e konsideron kusht për përparim të mëtejshëm.
Një nga detyrimet kryesore të cilit i referohet Sofja është përfshirja e bullgarëve në Kushtetutën e Maqedonisë. Qeveria maqedonase nuk e kundërshton vetë përfshirjen kushtetuese të bullgarëve, por kërkon garanci shtesë se kjo nuk do të pasohet nga kushte të reja dypalëshe në fazat e mëvonshme të negociatave.
Mucunski deklaroi dje se Shkupi tashmë po zhvillon bisedime intensive me përfaqësues të Komisionit Evropian dhe Këshillit Evropian dhe se për Maqedoninë është e rëndësishme që Bashkimi të jetë i pranishëm në çdo dialog të ardhshëm me Sofjen.
Gjatë ditëve të fundit, autoritetet maqedonase kanë intensifikuar sërish aktivitetin diplomatik lidhur me integrimin evropian. Tema është bërë më aktuale edhe në prag të vizitës së paralajmëruar të presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në Ballkanin Perëndimor.
Mesazhi i ri nga Sofja, për këtë arsye, lë hapësirë për praninë evropiane në bisedime, por nuk tregon ndryshim në qëndrimin thelbësor bullgar – se Maqedonia duhet t’i përmbushë kushtet për të cilat është rënë tashmë dakord përpara se të vazhdojë me fazën e ardhshme të procesit të anëtarësimit.



