BE-ja miraton pagesë prej 3 miliardë eurosh për Ukrainën, mirëpret kontributin e Norvegjisë

Këshilli i BE-së të enjten miratoi një pagesë prej rreth 3 miliardë eurosh për Ukrainën në kuadër të Mekanizmit të BE-së për Ukrainën, përfshirë rreth 800 milionë euro nga Kredia për Mbështetjen e Ukrainës dhe një kontribut të konsiderueshëm nga Norvegjia, e cila nuk është anëtare e BE-së, transmeton Anadolu.
Sipas Këshillit, pagesa vjen pasi Ukraina ka përmbushur dhjetë objektiva të tjera të përcaktuara në planin e saj të reformave, duke e çuar në 84 numrin e objektivave të përmbushura nga gjithsej 95 të parashikuara deri më tani.
Mekanizmi për Ukrainën ofron mbështetje financiare për stabilitetin ekonomik të Ukrainës, rimëkëmbjen nga lufta dhe modernizimin e vendit, si dhe për administratën publike dhe përpjekjet për reforma.
Këshilli ndryshoi gjithashtu planin e Ukrainës për të përfshirë një kontribut vullnetar prej 1 miliard kronash norvegjeze (93 milionë euro) nga Norvegjia në formën e mbështetjes së pakthyeshme.
Norvegjia është vendi i parë joanëtar i BE-së që kontribuon në shtyllën e parë të Mekanizmit për Ukrainën, e cila ofron mbështetje përmes planit të reformave dhe investimeve të Ukrainës.
Mekanizmi për Ukrainën hyri në fuqi në mars 2024 dhe deri në vitin 2027 parashikon më shumë se 50 miliardë euro në grante dhe kredi.
Pas pagesës së fundit, Ukraina do të ketë marrë më shumë se 32 miliardë euro në kuadër të këtij mekanizmi që nga mesi i vitit 2024, sipas Këshillit.



