Nëntë palestinezë të plagosur nga bombardimet izraelite në Rripin e Gazës, pavarësisht armëpushimit
Të plagosurit përfshijnë dy gra dhe një fëmijë, ndërsa shkeljet izraelite të armëpushimit vazhdojnë.

Nëntë palestinezë, përfshirë dy gra dhe një fëmijë, u plagosën nga bombardimet e artilerisë dhe të shtënat izraelite në pjesët qendrore dhe jugore të Rripit të Gazës, thanë burime mjekësore dhe dëshmitarë.
Plagosjet ndodhën pas shkeljeve të vazhdueshme izraelite të marrëveshjes së armëpushimit që është në fuqi që nga 10 tetori 2025.
Në Gazën qendrore, një burim mjekësor në Spitalin Suhadaa Al-Aqsa tha për Anadolu se një grua u shtrua me plagë të rënda dhe një fëmijë me plagë të moderuara.
Të dy u plagosën kur forcat izraelite hapën zjarr drejt çadrave ku strehoheshin palestinezë të zhvendosur mes kampeve të refugjatëve Bureij dhe Maghazi.
Dy persona të tjerë u plagosën kur një predhë artilerie goditi një shtëpi në pronësi të familjes Abu al-Rous në kampin e refugjatëve Bureij. Një zjarr shpërtheu në shtëpi pas bombardimit me artileri, u thanë dëshmitarët Anadolut.
Automjetet ushtarake izraelite hapën gjithashtu zjarr të dendur drejt çadrave të palestinezëve të zhvendosur në rrugën Salah al-Din, në veri të kampit Bureij, krahas bombardimeve me artileri në zonën përreth.
Në Gazën jugore, një burim mjekësor tha se pesë palestinezë pësuan plagë të shkallëve të ndryshme nga të shtënat dhe bombardimet me artileri izraelite që shënjestruan pjesët qendrore dhe jugore të Khan Younisit.


