Fisnik Mela merr pjesë në Konferencën Rajonale të Partive Politike të Ballkanit Perëndimor në Budva

Kryetari i Komunës së Dibrës, Fisnik Mela, mori pjesë në Konferencën Rajonale të Partive Politike të Ballkanit Perëndimor, të organizuar nga Instituti Republikan Ndërkombëtar (IRI) në Budva, Mal të Zi.
Mela mori pjesë në konferencë si përfaqësues i koalicionit VLEN, ku tema kryesore ishte “Përballja me ndikimin e huaj autoritar: qëndrueshmëria demokratike, rreziqet strategjike dhe përgjigjet politike në Ballkanin Perëndimor”.
Në konferencë u diskutua për zhvillimet politike dhe ekonomike në rajon, me fokus të veçantë te investimet, bashkëpunimi rajonal, krijimi i mundësive të reja për bizneset dhe forcimi i qëndrueshmërisë demokratike.
Sipas Melës, pjesëmarrja në këtë konferencë ishte një mundësi për shkëmbimin e përvojave dhe dëgjimin e perspektivave të ndryshme mbi sfidat dhe mundësitë me të cilat përballet Ballkani Perëndimor.
Ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit dhe dialogut rajonal për krijimin e mundësive të reja ekonomike dhe për forcimin e institucioneve dhe demokracisë në rajon.




