Kush janë tradhtarët palestinezë që bashkëpunojnë me Izraelin?

Një rrjet milicish palestineze të armatosura, që veprojnë në zona të Gazës nën kontrollin e ushtrisë izraelite, është kthyer në një nga elementet më të diskutueshme të luftës pas Hamasit.

Një investigim i publikuar nga “Haaretz”, tregon se këto grupe bashkëpunojnë ngushtë me ushtrinë dhe shërbimin sekret të brendshëm izraelit, Shin Bet, duke vepruar në praktikë si një forcë lokale ndihmëse kundër Hamasit.

Sipas hetimit, sot në Gaza veprojnë të paktën pesë grupe të rëndësishme të armatosura, të shpërndara në Beit Hanun, Shujaiya, Deir al-Balah, Khan Yunis dhe Rafah.

Disa prej tyre njihen me emra si “Forcat Popullore” dhe “Forca e Ndërhyrjes Kundër Terrorizmit”, ndërsa numri i anëtarëve të tyre në disa raste arrin në qindra persona.

Këto nuk janë struktura politike tradicionale palestineze. Sipas burimeve të cituara nga “Haaretz”, mes drejtuesve dhe anëtarëve të tyre ka ish-krerë bandash kriminale, trafikantë dhe persona që kanë përfituar nga kaosi dhe vakuumi i pushtetit në Gaza.

Disa të tjerë kanë qenë më parë pjesëtarë të forcave të sigurisë së Autoritetit Kombëtar Palestinez. Figura më e njohur e këtij projekti ishte Yasser Abu Shabab, drejtues i një milicie në zonën e Rafahut.

Ai vdiq, por struktura që përfaqësonte vazhdon të funksionojë. Vetë Benjamin Netanyahu, e pranoi publikisht në vitin 2025 se Izraeli kishte aktivizuar klane palestineze që kundërshtonin Hamasin, me këshillën e strukturave të sigurisë.

Bashkëpunimi nuk duket se kufizohet vetëm në shkëmbim informacioni. Sipas dëshmive të ushtarëve izraelitë, milicitë lëvizin lirshëm pranë bazave ushtarake, marrin pjesë në operacione në territore të vështira për t’u arritur nga ushtria izraelite dhe përdoren për veprime në zonat e kontrolluara nga Hamasi.

Burime në Gaza kanë deklaruar gjithashtu se ushtria izraelite u ka ofruar armë, mbështetje dhe mjete të tjera për operacionet e tyre.

Bazat e milicive, sipas analizës së imazheve satelitore, ndodhen vetëm disa qindra metra larg pozicioneve ushtarake izraelite dhe disa prej tyre janë pajisur me struktura të ngjashme me ato të përdorura nga ushtria.

Por akuzat më të rënda lidhen me popullsinë civile palestineze. Hetimi raporton se milicitë janë përdorur edhe për të dëbuar banorët nga zonat që Izraeli kërkon të vendosë nën kontroll.

Një komandant milicie në Deir Al-Balah e ka pranuar publikisht koordinimin me Izraelin për transmetimin e urdhrave që civilët të largohen.

Sipas informacioneve të mbledhura nga OKB-ja, banorë të Gazës kanë raportuar se janë larguar nga shtëpitë e tyre kur forcat izraelite, të mbështetura nga palestinezë të armatosur, kanë avancuar drejt zonave të banuara.

Një oficer izraelit i forcave ajrore, ka dëshmuar se kishte parë milicë të armatosur të sulmonin civilë, të plaçkitnin ndërtesa dhe më pas t’u vinin zjarrin.

Kjo ka ngritur shqetësime edhe brenda ushtrisë izraelite. Disa oficerë kanë paralajmëruar se armatosja dhe përdorimi i këtyre grupeve mund të krijojë një situatë të ngjashme me rastet historike kur milici lokale, të mbështetura nga ushtri të huaja, kryen masakra dhe krime të rënda kundër civilëve.

Vetë drejtuesit e disa milicive nuk e fshehin bashkëpunimin. Shawqi Abu Nasira, një prej drejtuesve të tyre, ka deklaruar hapur se grupi i tij është koordinuar me Izraelin për çështje sigurie dhe ushtarake.

Madje ai ka pranuar se palestinezët mund ta quajnë “bashkëpunëtor”, por ka pretenduar se lufta e tij kundër Hamasit justifikon këtë pozicion.

Pikërisht këtu qëndron paradoksi i madh i strategjisë izraelite. Në përpjekje për të dobësuar Hamasin, Izraeli po krijon dhe fuqizon grupe të armatosura palestineze pa legjitimitet të gjerë publik, me histori kriminale dhe interesa të lidhura drejtpërdrejt me mbështetjen izraelite.

Për shumë palestinezë, këta persona nuk janë thjesht kundërshtarë të Hamasit. Ata konsiderohen bashkëpunëtorë të një ushtrie që kontrollon dhe sulmon territorin palestinez.

Ndërsa për Izraelin, ato janë një mjet i përkohshëm për të kontrolluar territorin pa vendosur drejtpërdrejt administrim ushtarak në çdo zonë.

Por siç paralajmëron edhe vetë hetimi i “Haaretz”, krijimi i milicive të armatosura mund të jetë një lojë e rrezikshme.

Historia e Lindjes së Mesme ka treguar shpesh se grupet e krijuara për interesa të përkohshme ushtarake mund të kthehen më vonë në një problem shumë më të madh se armiku që synonin të luftonin. \tesheshi.com\

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button