BE-ja përsërit se vendbanimet izraelite janë të paligjshme, i quan pengesë për zgjidhjen me dy shtete

Bashkimi Evropian (BE) ka përsëritur qëndrimin e tij të kahershëm se vendbanimet izraelite në territoret e pushtuara palestineze janë të paligjshme sipas së drejtës ndërkombëtare, duke theksuar se ato përbëjnë pengesë për paqen dhe zbatueshmërinë e zgjidhjes me dy shtete.
“Kemi marrë në dijeni njoftimin e tetë shteteve anëtare, së bashku me Mbretërinë e Bashkuar, Kanadanë, Islandën dhe Norvegjinë, për vendosjen e kufizimeve kombëtare ndaj tregtisë me vendbanimet e paligjshme”, tha Anouar El Anouni për Anadolu, zëdhënës i Komisionit Evropian për çështjet e jashtme.
“Qëndrimi i kahershëm i BE-së është i qartë. Vendbanimet janë të paligjshme sipas së drejtës ndërkombëtare. Ato përbëjnë pengesë për paqen dhe për zbatueshmërinë e zgjidhjes me dy shtete”, shtoi ai.
Ai tha se blloku evropian i konsideron të paligjshme vendbanimet izraelite të ngritura në territorin e pushtuar palestinez pas qershorit të vitit 1967.
“Mallrat me origjinë nga vendbanimet izraelite në territoret që kaluan nën administrimin izraelit që nga qershori i vitit 1967 nuk kanë të drejtë të përfitojnë nga asnjë trajtim tarifor preferencial”, theksoi El Anouni.
Deklaratat e tij erdhën pasi 11 vende evropiane, përkatësisht Franca, Mbretëria e Bashkuar, Danimarka, Spanja, Finlanda, Irlanda, Islanda, Norvegjia, Polonia, Portugalia dhe Suedia, si dhe Kanadaja, njoftuan synimin e tyre për të vendosur kufizime kombëtare ndaj tregtisë me vendbanimet izraelite.
Vendet gjithashtu thanë se do të mbështesin kufizimet evropiane ndaj një tregtie të tillë.
Në një deklaratë të përbashkët, vendet thanë se situata në Bregun Perëndimor të pushtuar “po përkeqësohet me shpejtësi”, duke përmendur nivele të paprecedenta të dhunës së kolonëve dhe zgjerimin e vazhdueshëm të vendbanimeve.
“Ne kundërshtojmë fuqishëm çdo veprim që rezulton në aneksimin e tokës palestineze dhe zhvendosjen me forcë të popullsisë palestineze”, thanë ato.
Vendet i bënë thirrje Izraelit që të ndalojë menjëherë zgjerimin e vendbanimeve dhe të kompetencave të administratës civile në Bregun Perëndimor të pushtuar.
Ato kërkuan gjithashtu që kolonët përgjegjës për dhunën të japin llogari dhe bënë thirrje për hetimin e pretendimeve që përfshijnë forcat izraelite.
– Shtohen thirrjet ndaj BE-së
Në Evropë po shtohen thirrjet që BE-ja të shkojë përtej masave që synojnë mallrat nga vendbanimet dhe të ndërmarrë veprime më të gjera në marrëdhëniet e saj tregtare me Izraelin.
Disa qeveri evropiane, ligjvënës dhe grupe të shoqërisë civile i kanë bërë thirrje BE-së të pezullojë ose kufizojë marrëveshjet tregtare me Izraelin, duke argumentuar se blloku duhet ta përdorë marrëdhënien e tij ekonomike me Izraelin si mjet presioni për të adresuar zgjerimin e vendbanimeve dhe trajtimin e palestinezëve.
Thirrjet janë përqendruar gjithashtu te Marrëveshja e Asociimit BE-Izrael, e cila përcakton kornizën e marrëdhënieve tregtare dypalëshe dhe u siguron trajtim preferencial disa mallrave.
Mbështetësit e masave më të forta kanë argumentuar se marrëveshja duhet të rishikohet ose pezullohet si përgjigje ndaj politikave të Izraelit në territorin e pushtuar palestinez dhe konfliktit më të gjerë.
Megjithatë, masat tregtare në nivel të BE-së kërkojnë pajtimin e shteteve anëtare dhe ndarjet mes vendeve të BE-së deri më tani kanë komplikuar përpjekjet për miratimin e një qëndrimi të përbashkët.
Derisa BE-ja ende nuk ka vendosur një ndalim të përgjithshëm të importit të produkteve me origjinë nga vendbanimet e paligjshme izraelite, ajo i përjashton këto produkte nga lehtësitë tregtare sipas Marrëveshjes së Asociimit BE-Izrael dhe vazhdon të shqyrtojë mundësitë për masa më të gjera tregtare.



