BE-ja reagon pas publikimit të Kitanoviqit për Mladiqin: Lavdërimi i kriminelëve të luftës nuk ka vend në Evropë

Delegacioni i Bashkimit Evropian (BE) në Shkup ka deklaruar se lavdërimi i kriminelëve të luftës nuk ka vend në vendet që janë pjesë e bllokut evropian apo që synojnë të anëtarësohen në të, pas reagimeve të organizatave të shoqërisë civile ndaj një publikimi të drejtorit të Agjencisë për Realizimin e të Drejtave të Komuniteteve, Dalibor Kitanoviq, lidhur me Ratko Mlladiqin, transmeton Anadolu.

Tetë organizata të shoqërisë civile njoftuan se kishin marrë përgjigje nga Delegacioni i BE-së në Shkup për letrën që i kishin dërguar lidhur me publikimin e Kitanoviqit.

Sipas njoftimit të organizatave, zyra e BE-së në Shkup tha se është plotësisht i informuar për rastin, se po i ndjek me kujdes zhvillimet dhe se qëndrimin tashmë ua ka përcjellë autoriteteve kompetente.

“Qëndrimi i BE-së për Ratko Mlladiqin është i qartë, lavdërimi i kriminelëve të luftës nuk ka vend në vendet që i përkasin BE-së apo që synojnë të bëhen anëtare të saj”, thuhet në përgjigjen e delegacionit, të cituar nga organizatat.

Në përgjigje theksohet se BE-ja bazohet në respektimin e dinjitetit njerëzor, lirisë, demokracisë, barazisë dhe mosdiskriminimit dhe se në përputhje me këto vlera themelore në shoqërinë evropiane nuk ka vend për mbështetjen e mohimit të gjenocidit apo për lavdërimin e personave të dënuar me vendim të formës së prerë për krime lufte nga Tribunali i Hagës dhe pasardhësi i tij juridik.

Delegacioni Evropian gjithashtu theksoi vendimin e organizatave të shoqërisë civile për të pezulluar pjesëmarrjen në të gjitha aktivitetet me agjencinë nën udhëheqjen aktuale. Në të njëjtën kohë, delegacioni bëri të ditur se aktualisht nuk janë planifikuar aktivitete me agjencinë të financuara nga BE-ja.

Delegacioni theksoi se BE-ja do të vazhdojë t’i ndjekë zhvillimet në koordinim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë dhe do të mbetet e përkushtuar ndaj mbrojtjes së të drejtave themelore të njeriut, përfshirë të drejtat e pakicave.

Tetë organizatat e shoqërisë civile e cilësuan përgjigjen e BE-së si konfirmim se një publikim nga një bartës i funksionit publik, veçanërisht nga drejtori i një institucioni përgjegjës për të drejtat e komuniteteve, nuk mund të trajtohet thjesht si “qëndrim personal”.

“Bëhet fjalë për çështje të përgjegjësisë institucionale, besimit ndëretnik dhe respektimit të viktimave”, thanë organizatat.

Ato i bënë thirrje Qeverisë së Maqedonisë së Veriut që të veprojë urgjentisht lidhur me kërkesën e paraqitur, të përcaktojë përgjegjësinë e drejtorit dhe të ndërmarrë masat përkatëse.

Përgjigja e zyrës së BE-së në Shkup ishte ndaj reagimit të organizatave të shoqërisë civile Legis, Shadrvan, Divan, Institutit për Hulumtim dhe Analizë të Politikave “Romalitiko”, Divanhana, Smart Code, Këshillit Kombëtar Boshnjak dhe Komunitetit Kulturor Boshnjak.

Kitanoviq, pjesëtar i partisë së koalicionit Partia Demokratike e Serbëve të Maqedonisë, të udhëhequr nga Ivan Stoillkoviq, ministër e Vetëqeverisjes Lokale, publikoi në rrjetet sociale një imazh të krijuar me inteligjencë artificiale, në të cilin Mlladiq shfaqet pranë figurave historike serbe, me mbishkrimin “Gjeneralët e ushtrisë qiellore”.

Krimineli i dënuar i luftës, Ratko, Mlladiq, vdiq më 27 gusht në moshën 84-vjeçare në një spital burgu në Hagë, ku vuante dënimin me burgim të përjetshëm. Ai ishte dënuar për gjenocid për rolin e tij në masakrën e Srebrenicës të vitit 1995, ku u vranë më shumë se 8.000 burra dhe djem boshnjakë, si dhe për krime të tjera të kryera gjatë luftës në Bosnjë e Hercegovinë.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button