Arrestimi i shoferit, reagon qeveria: Me këtë rast tregojmë se ligjet vlejnë për të gjithë

Denoncimi fillestar për kërkesën për ryshfet ka ardhur me iniciativë të institucioneve të cilave u ishte raportuar kërkesa për ryshfet. Personi me inicialet D. C. është arrestuar për marrje ryshfeti, me para të shënuara paraprakisht, njoftojnë nga Qeveria lidhur me rastin e shoferit të arrestuar të qeverisë. Nga Qeveria theksojnë se i gjithë aksioni është pjesë e angazhimeve të saj për luftë pa kompromis kundër korrupsionit.
“Me këtë rast tregohet se ligjet vlejnë për të gjithë, ndërsa dëshmohet vullneti dhe qëllimi i Qeverisë për të luftuar kundër korrupsionit. Me këtë vihet një vijë e qartë ndarëse mes atyre që duan të bëjnë keqpërdorime dhe të gjithë të tjerëve që luftojnë kundër tyre. Ky është edhe një shembull se si, përmes bashkëpunimit të përbashkët të organeve dhe institucioneve, mund të zbatohet drejtësia”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Nga Qeveria informojnë se më 4 shtator 2026, i dyshuari është kapur në momentin e dorëzimit të 500 eurove, si pjesë e shumës prej 1.500 eurosh që kishte kërkuar si shpërblim të paligjshëm. Paratë ishin shënuar paraprakisht.
“I njëjti person, në momentin e kryerjes së veprimit të kundërligjshëm, punonte dhe kryente detyrat e shoferit për nevojat e Sekretariatit të Përgjithshëm të Qeverisë, pasi më parë kishte krijuar marrëdhënie pune, njësoj si të gjithë të punësuarit e tjerë në Shërbimin për Çështje të Përgjithshme dhe të Përbashkëta të Qeverisë”, thuhet në njoftim.
Nga Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit më herët informuan se është hapur procedurë hetimore ndaj një të punësuari në Shërbimin për Çështje të Përgjithshme dhe të Përbashkëta të Qeverisë, i dyshuar për veprën penale “Marrje shpërblimi për ndikim të kundërligjshëm”.
Për shkak të rrezikut të arratisjes, mundësisë së ndikimit te dëshmitarët dhe rrezikut të përsëritjes së veprës, prokurori publik ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit. Gjykatësi i procedurës paraprake e ka pranuar kërkesën dhe të dyshuarit i ka caktuar 30 ditë paraburgim.
Ministria e Punëve të Brendshme më herët gjatë ditës informoi se, pas një denoncimi të bërë nga një qytetar, D. C., i punësuar si shofer në Shërbimin për Çështje të Përgjithshme dhe të Përbashkëta pranë Qeverisë së RMV-së, është kapur duke marrë para të shënuara paraprakisht, pas së cilës është privuar nga liria.



