Trump: Fola me Putinin dhe ai nuk ka ndërmend të sulmojë NATO-n!

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se presidenti rus Vladimir Putin nuk ka ndërmend të sulmojë territorin e NATO-s, ndërsa komentoi incidentin me një avion të armatosur dhe pa pilot të pikasur në aeroportin e Leipzigut, për të cilin Gjermania ka fajësuar Moskën.

“Fola me të. E njoh mirë. Putini nuk po kërkon të sulmojë territorin e NATO-s”, u tha Trump gazetarëve në Zyrën Ovale.

Në të njëjtën kohë, presidenti amerikan la të kuptohet se administrata e tij ka një propozim konkret për t’i dhënë fund luftës mes Rusisë dhe Ukrainës. Trump tha se ka dërguar dy të dërguarit e tij të posaçëm, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, për të zhvilluar bisedime paqeje.

“Dërgova Steve Witkoff dhe Jared Kushner, dy negociatorë të shkëlqyer. Ata kanë bërë një punë të shkëlqyer dhe ne i dërguam atje për të parë nëse mund të arrijmë diçka. Dhe ka shumë mundësi që ta arrijmë”, deklaroi Trump.

Megjithatë, presidenti amerikan nuk dha detaje mbi përmbajtjen e propozimit dhe nuk sqaroi nëse dy të dërguarit e tij do të zhvillojnë takime në të dyja vendet apo vetëm në njërin prej tyre.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka deklaruar se Witkoff dhe Kushner pritet të mbërrijnë në Kiev të dielën, pasi fillimisht kanë zhvilluar takime në Moskë. Sipas burimeve të cituara në material, ky informacion është konfirmuar edhe për Reuters.

Witkoff, i cili është kryenegociatori amerikan në bisedimet e paqes mes Moskës dhe Kievit, ka udhëtuar disa herë në kryeqytetin rus, ndërsa deri tani nuk kishte vizituar Ukrainën.

Përpjekjet e administratës Trump për t’i dhënë fund luftës kanë hasur vështirësi, ndërsa negociatat e paqes kanë mbetur të bllokuara gjatë muajve të fundit.

Në fund të gushtit, drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, zhvilloi një vizitë sekrete në Moskë, ku sipas raportimeve i paraqiti palës ruse një vlerësim të zymtë të ecurisë së luftës dhe e nxiti atë të arrinte një marrëveshje përpara se situata ushtarake dhe ekonomike të përkeqësohej.

Ndërkohë, zyrtarë perëndimorë dhe shërbimet ukrainase të inteligjencës kanë shprehur dyshime për gatishmërinë e Vladimir Putinit për të arritur një marrëveshje afatshkurtër për përfundimin e luftës.

Gjatë deklaratave të tij, Trump foli edhe për konfliktin me Iranin, duke paralajmëruar se forcat amerikane mund të godasin shumë shpejt objektivin e njohur si “Mali Axna”.

Sipas materialit, bëhet fjalë për një strukturë bërthamore të fortifikuar iraniane pranë kompleksit të Natanzit, e cila përfshin komplekse tunelesh të thella nëntokësore.

Trump ka minimizuar ndërkohë rëndësinë e konfliktit me Teheranin, duke e cilësuar atë si një përballje që për SHBA-në nuk përbën një kërcënim të madh, ndërsa ka pretenduar se forcat amerikane kanë arritur rezultate të rëndësishme në përballjen me Iranin.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button