Pas një grindje, mister shokues në Manastir: Ai që e tërhiqnin si të vdekur doli i gjallë, ka vdekur ai që tërhiqte

Ka ndodhur një kthesë në ngjarjen që tronditi Manastirin.
U shfaq një video ku shihet se si një burrë tërheq një tjetër herët në mëngjes në “Shirok Sokak”.
Të nesërmen, Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi se në oborrin e spitalit të Manastirit u gjet trupi pa jetë i një 39-vjeçari nga Strumica.
E gjithë çështja u lidh me videon dhe, kur të gjithë menduan se njeriu që po tërhiqej ishte në fakt i vdekuri – ndodhi kthesa.
Pikërisht ai që tërhiqte u gjet më vonë në oborrin e Qendrës Klinike të Manastirit. Grindjen, që ndodhi në qendër të qytetit në orën katër të mëngjesit, e ka sqaruar policia, por pse ndodhi ajo dhe çfarë ka ndodhur më pas, ende do të hetohet, përcjell Pa Censurë.
“Në lidhje me videot nga rrjetet sociale, ju informojmë se nga ana e Drejtorisë së Punëve të Brendshme Manastir është identifikuar identiteti i personave që janë në video, ndërsa për sqarimin e ngjarjes janë thirrur disa persona në bisedë zyrtare. Theksojmë se personi i vdekur i përmendur, J.I., në oborrin e Qendrës Klinike Manastir, nuk është personi që në video po tërhiqej nga një person tjetër”, thanë nga Ministria e Punëve të Brendshme.
39-vjeçari i vdekur nga Strumica, pas përleshjes fizike herët në mëngjes të hënën, me ndihmën e shërbimit të urgjencës përfundoi në qendrën e urgjencës së spitalit të Manastirit, ku iu bënë një sërë ekzaminimesh dhe u dërgua për ekzaminime shtesë, por në vend të kësaj e la spitalin dhe pas pak kohe u gjet i vdekur në oborr.
Jozyrtarisht, shkaku i vdekjes është ndalimi i zemrës.
“Në qendrën e urgjencës u soll me ekipin e ndihmës së shpejtë mjekësore, prej andej në repartin e psikiatrisë, kirurgjisë dhe neurokirurgjisë, ku u ekzaminua rregullisht dhe u dërgua për rëntgen, ku nuk u paraqit. Pas kësaj e la spitalin”, thanë nga spitali i Manastirit, teansmeton Pa Censurë.
Por nëse 39-vjeçari kishte shenja të dukshme dhune, çfarë saktësisht përcaktuan ekzaminimet dhe nëse përleshja fizike është shkaku i vdekjes, ende duhet të zbulohet.
Obduksioni është në vazhdim.



