FSSH: Brenda një viti janë paraqitur 1.883 kërkesa për fertilizim in vitro

Për familjet që prej vitesh përpiqen të bëhen prindër, çdo përpjekje e re do të thotë shpresë e re. Pikërisht për këtë arsye, një vit më parë u bë një nga ndryshimet më të rëndësishme në realizimin e së drejtës për fekondim të asistuar biomjekësor (BPO) – numri i përpjekjeve të mbuluara nga Fondi u rrit nga tre në maksimum gjashtë.
Vetëm një vit më vonë, shifrat tregojnë se ky ndryshim nuk ka mbetur vetëm një mundësi ligjore, por është një e drejtë që të siguruarit po e shfrytëzojnë realisht, thonë nga FSSH.
Në periudhën nga 7 gushti 2025 deri më 20 gusht 2026, nga gjithsej 1.883 kërkesa të paraqitura dhe shqyrtuara për BPO, plot 237 kanë të bëjnë me përpjekjen e katërt, të pestë ose të gjashtë – mundësi që më parë nuk mbulohej nga Fondi.
Prej tyre:
216 kërkesa janë për përpjekjen e katërt;
17 kërkesa për përpjekjen e pestë;
4 kërkesa për përpjekjen e gjashtë.
“Kjo do të thotë se rreth 12,6 për qind e të gjitha kërkesave të shqyrtuara gjatë kësaj periudhe janë pikërisht për përpjekjet shtesë të mundësuara nga ndryshimet ligjore. Pas secilit prej këtyre numrave qëndron një familje që ka fituar edhe një mundësi për të vazhduar aty ku më parë përfundonte mbështetja sistemike”, thonë nga Fondi për Sigurim Shëndetësor.
Reforma në fekondimin e asistuar biomjekësor nuk përfshiu vetëm rritjen e numrit të përpjekjeve.
“Procedura u thjeshtua më tej me futjen e dërgimit elektronik të njoftimit për miratimin e të drejtës për BPO, afati për paraqitjen e ankesës u zgjat nga 8 në 15 ditë, ndërsa personi i siguruar i realizon shërbimet shëndetësore për BPO në bazë të njoftimit nga Fondi, pa pasur nevojë për rekomandim shtesë nga gjinekologu i zgjedhur në kujdesin shëndetësor parësor”, njoftojnë nga FSSH.
Nga atje bëjnë të ditur se për procedurat e BPO-së të kryera në tetë institucione shëndetësore me të cilat Fondi ka lidhur kontrata, në vitin 2025 janë realizuar më shumë se 97,3 milionë denarë.
“Zgjerimi i qasjes në BPO ka një rëndësi që shkon përtej një procedure shëndetësore. Në kushtet e sfidave serioze demografike, natalitetit të ulët dhe plakjes së popullsisë, çdo institucion ka detyrim, brenda kompetencave të veta, të kontribuojë në krijimin e kushteve më të mira për familjet që dëshirojnë të bëhen prindër.
Sistemi shëndetësor nuk mund t’i ndryshojë vetë trendet demografike, por mund të bëjë diçka shumë konkrete – të sigurojë më shumë mundësi dhe që pengesa financiare të mos jetë arsyeja për të cilën një familje duhet të heqë dorë para kohe nga përpjekja për të pasur pasardhës.
Pikërisht këtu qëndron thelbi i rritjes nga tre në gjashtë përpjekje për BPO. Nuk bëhet fjalë vetëm për ndryshimin e një neni të ligjit apo për një vauçer shtesë. Bëhet fjalë për edhe një mundësi. E ndonjëherë, pikërisht edhe një mundësi është ajo që nevojitet që shpresa të bëhet jetë”, thonë nga FSSH.



