Franca regjistron verën më të nxehtë që nga viti 1900

Vera e vitit 2026 ka qenë më e nxehta e regjistruar ndonjëherë në Francë që nga fillimi i matjeve në vitin 1900, njoftoi të enjten ministrja franceze e Tranzicionit Ekologjik, Monique Barbut, duke iu referuar një vlerësimi klimatik nga shërbimi kombëtar meteorologjik Meteo-France, transmeton Anadolu.

Duke folur pranë Parisit gjatë prezantimit të vlerësimit, i cili mbulon verën meteorologjike nga qershori deri në gusht, Barbut ngriti pyetjen se si do të vlerësohet ky rekord në të ardhmen.

“Pyetja që duhet t’i bëjmë vetes tani është se si do të mbetet kjo”, tha Barbut. “Si i pari në një seri të gjatë që do të vazhdojë të thyejë rekorde, apo si një moment që na mundësoi t’u përgjigjemi sfidave të përshtatjes dhe lehtësimit?”

Ajo e lidhi drejtpërdrejt nxehtësinë ekstreme me thatësirën e rëndë dhe zjarret e përhapura. “Nxehtësia nuk vjen kurrë e vetme. Bashkë me të erdhën zjarre me frekuencë dhe përmasa të jashtëzakonshme”, theksoi ajo, duke shtuar se deri në fund të gushtit zjarret pyjore kishin përfshirë një sipërfaqe gjashtë herë më të madhe se mesatarja e 20 viteve të fundit.

Ministrja e përshkroi thatësirën që ka përfshirë Francën kontinentale si “të paprecedentë dhe të papritur”, duke theksuar se niveli i tharjes së tokës ka qenë më i keqi i regjistruar ndonjëherë dhe se shumica e rrjedhave ujore kanë arritur nivelet më të ulëta në 20 vjet.

“Po, vera e vitit 2026 ka qenë dhe vazhdon të jetë e vështirë”, tha Barbut, duke shprehur nderime për zjarrfikësit dhe duke theksuar se katër prej tyre kanë humbur jetën në krye të detyrës gjatë kësaj vere.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button