Durmishi: Marrëveshja e Ohrit nuk është tapi e BDI-së, Ahmeti u detyrohet shqiptarëve përgjigje

Ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi, ka akuzuar ish-kreun e BDI-së, Ali Ahmeti, se për më shumë se dy dekada u ka paraqitur shqiptarëve vetëm një version të Marrëveshjes së Ohrit, duke kërkuar prej tij përgjegjësi për mënyrën se si është trajtuar çështja e gjuhës shqipe.
Në një konferencë për media, Durmishi iu referua deklaratave të Gëzim Ostrenit, një prej figurave kryesore të konfliktit të vitit 2001, i cili, sipas ministrit, ka thënë se gjatë procesit të atëhershëm, ndërsa Ahmeti drejtonte krahun politik, gjuha shqipe nuk u përfshi me emër në Kushtetutë.
“Ka disa të vërteta që janë të dhimbshme, por duhet të thuhen. Për më shumë se 20 vjet, shqiptarëve u është treguar vetëm njëra anë e Marrëveshjes së Ohrit. Sot, një pjesë tjetër po del në shesh”, deklaroi Durmishi.
Sipas tij, Ostreni ka bërë të ditur se vetë ai për një kohë të gjatë kishte besuar se formulimi kushtetues i referohej gjuhës shqipe, por vetëm vite më vonë kishte kuptuar se në Kushtetutë nuk ishte shkruar shprehimisht “gjuha shqipe”, por përdorej formulimi që i referohej gjuhës së një komuniteti që përbën mbi 20 për qind të popullsisë.
Durmishi tha se, sipas deklarimeve të Ostrenit, kërkesa fillestare kishte qenë që Maqedonia të ndërtohej si shtet shqiptaro-maqedonas, ndërsa në fund çështja e gjuhës shqipe mbeti e lidhur me formulimin e përqindjes.
Ministri kërkoi nga Ali Ahmeti të japë përgjigje se çfarë kishte ndodhur gjatë negociatave dhe pse kërkesat fillestare për të drejtat e shqiptarëve përfunduan me kompromiset e përfshira në Marrëveshjen e Ohrit.
“Prandaj, Ali Ahmeti u detyrohet shqiptarëve një përgjigje. Çfarë e shtyu që, nga kërkesa për një shtet shqiptaro-maqedonas, të përfundonte duke pranuar që gjuha shqipe të mos përmendej me emrin e saj?”, tha Durmishi.
Ai akuzoi gjithashtu BDI-në dhe Ahmetin se gjatë viteve e kanë përdorur Marrëveshjen e Ohrit si argument politik dhe si “mburojë” ndaj kritikave për qeverisjen, korrupsionin dhe marrëveshjet politike.
“Marrëveshja e Ohrit nuk është tapi e BDI-së dhe as pronë e Ali Ahmetit. Ajo është rezultat i sakrificës së një populli të tërë”, theksoi Durmishi.
Ministri ngriti edhe pyetjen se, nëse sipas tij janë bërë kompromise për gjuhën shqipe, çfarë elementesh të tjera të procesit nuk u janë bërë të ditura shqiptarëve.
Duke folur për politikat e koalicionit aktual, Durmishi tha se qeveria nuk synon ta përdorë Marrëveshjen e Ohrit vetëm si simbol politik, por të zbatojë ato pjesë që, sipas tij, kanë mbetur të parealizuara.
Ai theksoi veçanërisht përfaqësimin e drejtë dhe adekuat dhe decentralizimin.
“Për herë të parë pas 25 vjetësh, përfaqësimin e drejtë dhe adekuat po e shndërrojmë nga parimi kushtetues në ligj, ndërsa decentralizimin po e rikthejmë aty ku e ka vendin, në mesin e prioriteteve kryesore”, deklaroi Durmishi.
Sipas tij, këto janë dy prej shtyllave të Marrëveshjes së Ohrit që, për më shumë se dy dekada, kanë mbetur të parealizuara plotësisht.
Në fund, ministri tha se e vërteta duhet të thuhet edhe kur është e pakëndshme, veçanërisht kur, sipas tij, në emër të shqiptarëve është folur shumë, ndërsa janë marrë vendime që kanë ndikuar drejtpërdrejt mbi ta.



